Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Voziti 146 km/h, gjobitet dhe i hiqet patent-shoferi për tre muaj një 21-vjeçari në Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia e Komunikacionit Rrugor e ka ndaluar një person, S.G, të moshës 21-vjeçare në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, pasi i njëjti me veturë ka tejkaluar shpejtësinë prej 146 km/h në një zonë të kufizimit 80 km/h.

Rasti ka ndodhur më 12.03.2024, rreth orës 21:52, në Fshatin e Vjetër të Ferizajt.

Sipas njoftimit, Policia i ka shqiptuar gjobë në vlerë 300 euro dhe i ka hequr patentë shoferin për tre muaj.

“Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe 3 muaj masë mbrojtëse, heqje e patent shoferit” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Me këtë rast, Policia në Ferizaj ka apeluar te shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit rrugor, pasi që veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.