Vjosa Osmani: Seanca mbahet nesër, unë s’jam pajtuar

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku është vendosur që nesër të mbahet seanca për rrëzimin e Qeverisë.

Osmani tha se ajo ka qenë kundër, por që shumica e Kryesisë kanë votuar pro mbajtjes së seancës.

“Ka qenë kërkesa e disa grupeve parlamentare që të shfrytëzohen edhe pjesët e tjera të Kuvendit, pjesa e mysafirëve, e mediave. Edhe pas kësaj kërkese, Administrata ka thënë se më së shumti mund të marrin pjesë 80 persona”, tha Osmani.

Kryesia ka vendosur që seanca për rrëzimin e Qeverisë të mbahet nesër në ora 11:00 dhe distanca nga deputetët pritet të jetë 1 metër e gjysmë.

“Unë s’jam pajtuar që të mbahet seanca, mirëpo shumica ka vendosur që nesër të ketë një seancë në ora 11:00. Distanca duhet të jetë 1.5 metra”, tha Osmani në konferencë për media.