Foto: ZKM

Vjosa Osmani: Masakra e Studimes ishte planifikuar qysh më herët nga forcat serbe

Në 22-vjetorin e Masakrës së Studimes, ku mbetën të vrarë 116 civilë shqiptarë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur atë si një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë.

“Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Më tej, presidentja ka shkruar se dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe.

“Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë. Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe”, është shprehur Osmani.

Më tej Osmani ka thënë se duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, mbahet gjallë kujtimi për viktimat, dëshmohet për historinë e dhimbshme të Kosovës, por edhe e ritheksohet përkushtimi që të mos reshtet së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend.

“Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Millosheviqit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht”, ka përfunduar Osmani postimin e saj.