Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Bruksel, Foto: Zyra e Presidentit

Vjosa Osmani lobon për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua sot pasdite me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e Miqësisë për Kosovën, Rainer Wieland, zv. Presidenti i PE-së, Lukas Mandl, nga grupi EPP, Viola von Cramon- Taubade, raportuese për Kosovën në PE (grupi i të gjelbërve), Ilhan Kyuchyuk, nga Grupi Renew dhe Andrey Kovatchev, nënkryetar i EPP-së.

Presidenca njofton se Osmani ka theksuar se në raportin e ardhshëm të Parlamentit Evropian për Kosovën do të ishte mirë të kërkohet në mënyrë eksplicite njohja nga 5 vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet janë, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Tutje thuhet se Osmani ka falënderuar BE-në për mbështetjen e Kosovës në përballje me pandeminë, teksa në këtë kontekst ka kërkuar mbështetje edhe në monitorimin e procesit zgjedhor në funksion të ruajtjes së kredibilitetit dhe besueshmërisë së këtij procesi.

“Gjatë takimit u diskutua se prioritetet e Kosovës duhet të jenë investimi në shëndetësi, arsim dhe punësim të të rinjve, për ta krijuar një mjedis ku ata nuk duan ta braktisin vendin. Poashtu u diskutua për përgatitjet që po bëhen për procesin zgjedhor dhe rëndësinë e krijimit të institucioneve të fuqishme e përfaqësuese, si rezultat i këtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Vjosa Osmani dhe Viola Von Cramon, Foto: Zyra e Presidentit

Sipas Zyrës së Presidentit, përgjatë bashkëbisedimit u theksuan edhe sfidat në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ushtruesja e detyrës së presidentes ka theeksuar se parimet që duhet të jenë udhërrëfyes në këtë proces.

Sipas saj, vendi ka nevojë të përfaqësohet nga një qeveri legjitime, e cila do ta mbrojë integritetin territorial, sovranitetin e Kosovës si dhe rregullimin kushtetutes të vendit.

Osmani do të qëndrojë në Bruksel dy ditë, në një vizitë zyrtare.