Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani: Deklarata e Daçiqit bie ndesh me marrëveshjen e Uashingtonit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se deklarata e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, për varrezat e viktimave të luftës bie ndesh me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe me një pikë të zotimeve në Uashington.

“Ajo deklaratë bie me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel por edhe më njërën pikë në zotimet në Uashington, që thotë se dy palët duhet të bëjnë të pamundurën për çështjen e të zhdukurve” tha Osmani në konferencë për media.

Osmani tha se Daçiq ka kërcënuar hapur serbët që mund të tregojnë për vendndodhjen e viktimave nga Kosova.

Ndërsa për reagimin e Qeverisë në lidhje me këtë çështje ajo tha se Qeveria ka vepruar me politikë reaktive.

“Injorimin e një deklarate të tillë nga Qeveria e Kosovës e quaj politikë reaktive duke pritur se vetëm apo reagon dikush që të reagojnë edhe ata” tha ajo.

Tutje, Osmani tha se vetëm një mendje gjenocidale mund të jap një deklaratë të tillë dhe se Serbia ende po udhëhiqet nga mendje gjenocidale që mendojnë për shfarosje të të tjerëve që janë të ndryshëm nga serbët.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë ka thënë: “Të mos merremi me amerikanët, gjermanët dhe turqit, më thoni ju mua (duke i’u drejtuar udhëheqësit të emisionit) se çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.