Viola von Cramon: Sulmi i orkestruar ndaj Policisë, i papranueshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, gjatë të cilit mbeti i vrarë një polic, një i plagosur dhe një tjetër i lënduar.

Cramon tha se sulmi i orkestruar ndaj forcave policore është i papranueshëm dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Kosovës. Sulmi i orkestruar ndaj forcave legjitime të policisë është absolutisht i papranueshëm, autorët e të cilit duhet të sillen para drejtësisë”- ka shkruar ajo në Twitter.

Ajo ka deklaruar se nevojitet shtensionimi i menjëhershëm duke përfshirë vendosjen dhe përforcimin e fuqishëm të KFOR-it në të gjithë veriun e Kosovës. Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje të gjithë akterëve që të bindin personat e armatosur që të dorëzohen.

“Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë akterëve që të bindin njerëzit e armatosur në Manastirin e Banjskës që të dorëzojnë armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme” – ka shkruar Von Cramon.

Ajo ka shprehur ngushëllime në emër të Parlamentit Evropian familjes së policit të Kosovës të vrarë sot në detyrë.

“Dhe sinqerisht shpresoj në shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve” – ka vazhduar ajo.

Policia e Kosovës ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe dyshohet se pjesëtarët e këtij grupi janë duke qëndruar në dhe rreth Manastirit të Banjskës.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos e një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se janë vrarë tre pjesëtarë të grupit të armatosur në Banjskë dhe një tjetër është arrestuar. Po ashtu, Policia ka njoftuar se ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar në Rudar që posedonin radiolidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë. Ai publikoi në konferencë për media edhe fotografi të grupit të armatosur brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës, automjetet pa targa, personat e uniformuar dhe të armatosur si dhe një autoblindë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.