Viola von Cramon

Viola von Cramon: Sado e hidhur mund të jetë, Kosova duhet të jap propozim për Asociacionin

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, teksa po fliste për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një intervistë për Deutsche Welle u shpreh se Kosova duhet të paraqes ndonjë propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe sado e hidhur që mund të jetë.

Sipas saj, marrëveshja e Ohrit është bazë e mirë që ka për qëllim t’i mundësojë Kosovës të ndërmarrë hapat e ardhshëm dhe të materializojë qëndrimin pro-europian, reformën e saj në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

“Sado e hidhur të jetë, një kusht duhet të përmbushet, dhe ky është të paraqitet ndonjë propozim për formimin e komunitetit serb në ndonjë formë – është nënshkruar dy herë, në vitet 2013 dhe 2015 – natyrisht që i gjithë procesi është ndalur”- u shpreh von Cramon.

“Nëse të dyja palët tregojnë vullnet politik të caktuar për të arritur një kompromis, ne mund të bëjmë një hap të madh përpara”, thotë Von Kramon, dhe vlerëson se një pjesë e madhe e provokimeve vjen nga Serbia, pa dyshim – “por duhet të shohim gjithashtu se Kosova po jep kontribut në këtë”- shtoi tutje von Cramon.

Ajo po ashtu theksoi se Vuçiq diskrediton BE-në dhe merr para prej saj.

“Njerëzit duhet të kuptojnë që Vuçiq është ai që kontrollon shtypin, dhe që për vite me radhë ai ka lejuar që Bashkimi Europian, për ne në Perëndim, të diskreditohet vazhdimisht. Dhe ai ka marrë paratë”- shtoi tutje von Cramon.

Lidhur me këto fonde nga BE, von Cramon tregoi se si do vepronte.

“Por çfarë do të bëja? Natyrisht, do të duhet ta kushtëzoja fort, çka do të thotë që nuk mund të jap thjesht para, veçanërisht në një vend si, për shembull, Serbia, ku shoh se vlerat themelore të Bashkimit Evropian po shkelën qartazi” – thotë anëtarja e Parlamentit Evropian./DW