(VIDEO) Veteranë dhe invalidë të UÇK-së ankohen për ndarjen e banesave në Obiliq

Disa veteranë dhe invalidë të UÇK-së në Obiliq u mblodhën sot para objektit të Komunës së Obiliqit për të shprehur pakënaqësi për listat e përfituesve të banesave për këto kategori.

Komuna e Obiliqit ka ndarë disa banesa sociale, por veteranë dhe invalidë nga komuna e Obiliqit nuk po pajtohet me këtë proces.

Sipas kryetarit të degës së OVL-së, Fehmi Mjeku, ata janë mbledhur për shkak se kundërshtojnë ndarjen e kategorive të përfituesve dhe zvarritjen e këtij procesi.

“Arsyeja që është ky takim, është se po kërkojnë veteranët që janë përfitues më 30 prill. Zvarritja e këtyre banesave ka shkuar në atë masë të madhe që këta e kanë humbur durimin. Dje na i kanë nda familjet e dëshmorëve, edhe na s’kemi pranuar. Kur s’kemi pranu na, janë irritu veretranët edhe për qata kemi tubim. Jo protestë po tubim. Nëse e thirrum një protestë ka me kanë me e madhe dhe e dhunshme edhe brenda Komunës”, tha ai.

Ndërkaq, Arif Krasniqi, kryetar i shoqatës së invalidëve në Obiliq, thotë se është larguar nga komisioni që ka bërë ndarjen e këtyre banesave, për shkak se nuk është pajtuar me mënyrën si është bërë kategorizimi.

“Na i kanë nda familjet e dëshmorëve. Kur kemi qenë në luftë kemi qenë të gjithë bashkë. Aplikimi kur është bërë, është bërë për të gjitha kategoritë përnjëherë dhe jo të ndarë. Dhe qëllimi jonë kryesor është pse dje jemi larguar prej komisionit është që të gjitha listat me i publiku bashkë dhe jo të ndamë”, thotë Krasniqi.

Lidhur më këtë nënkryetari i Komunës, Ibush Mjekiqi tha se i kupton shqetësimet e protestuesve. Por sipas tij, zvarritja e procesit ka ndodhur për shkak të situatës me pandeminë.

“E dim që ky proces është zvarrit, por siç e dim vit i kalum ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ne. Nuk kemi mujtë me punu, kemi fillu këtë vit. Jena në procedurë e sipër, i kuptojë shqetësimet e organizatave të luftës, i kuptoj këto familje por sido që të jetë jemi në procedurë e sipër për zgjidhjen e kësaj çështje”, u shpreh ai.