VIDEO - Rrota e ndryshimit - Automekanikja që thyen paragjykimet

Në një industri që dominohet nga burrat, Dorentina Qerimi po sfidon mentalitetin se gratë nuk mund të jenë automekanike.

25-vjeçarja, çdo mëngjes merr rrugën nga Ferizaj drejt Prishtinës, që të nis punën si automekanike. Ajo rregullon veturat nga më të ndryshmet, ani pse në vendin e saj të punës të gjithë janë burra.

Në një intervistë për KALLXO.com, Qerimi tregon se si është të jesh një grua në këtë profesion.

“Është ndjenja më e mirë kur të lypë klienti, të thotë : “bravo të qoftë”, “ma ke bë kerrin super”, “gjithçka është e mirë””, thotë ajo.

Dorentina Qerimi në vendin e saj të punës. Foto: KALLXO.com.

Tina – siç e thërrasin në vendin e punës, bënë pjesë në grupin e grave që ndjekin ëndrrat.

Pasioni për veturat e rregullimin e tyre, u ndez për herë të parë kur ishte në moshë të vogël. Ajo u rrit në një atmosferë të tillë dhe ëndërroi që një ditë të jetë pjesë e kësaj industrie.

“Qysh e vogël tu i ndihmu babit e kemi pasur një servis të vogël në Ferizaj, por nuk punon më. Ma ka dhënë zanatin, këtu punoj tash e tri vite e kam marrë edhe një zanat tjetër, gjeometri dhe po më shkon puna shumë mirë. Në fillim e kemi pas pak vështirë me klientë, normal.. femër si paragjykimet si janë, por ka dashtë zoti është tash shumë mirë”, thotë ajo.

Për të, të largohesh nga vendlindja vetëm për të punuar në një ambient që më pak paragjykohesh nga njerëzit nuk ka qenë i lehtë. Por, ajo thotë se me përkrahjen e kolegëve, tani ndihet si në shtëpinë e saj.

“Pak problem po u kanë sikur familja ime e dytë këtu, më kanë prit shumë mirë, gjithmonë më kanë dhënë përkrahje edhe nëse e kom pas ndonjë ofendim ose paragjykim i kam pasur krejt kolegët mbrapa”

Paragjykimet për punën e saj ishin nga më të ndryshmet.

Dorentina Qerimi në vendin e saj të punës. Foto: KALLXO.com.

“Qysh mundet me bë një femër, më thonin: “A mundesh mi shtrëngua mirë”, “s’ki forcë”, “pse ti?”, si shqiptarët këtu si janë”, thotë ajo.

Si një vajzë që realizoi ëndrrën e saj, ajo ka një mesazh për të gjitha gratë që synojnë profesionet që janë ‘përvetësuar’ nga burrat.

“Çdo femër, çdo nënë shqiptare, çka do që kanë ëndërr me realizu një punë, pa marrë parasysh a është e femrës apo e mashkullit, bëje!. Realizoje ëndrrën tënde sepse gjithmonë ke mu paragjyku.  Si unë, gjithmonë jam paragjyku për krejt sendet, kur i kam lënë krejt anash, e kam vazhduar drejtimin tem. Një e di që e du këtë zanat, kam edhe profesione shumë të tjera, por sikur me këtë asnjë nuk zëvendësohet”, shton ajo.

Në Kosovë, punësimi i grave është në nivel të ulët. Të dhënat zyrtare tregojnë se niveli i punësimit tek gratë në Kosovë është 14.4 për qind, ndërsa punësimi tek burrat me 46.2 për qind.