Vendi i ngjarjes ku u vra nëna nga djali i saj, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Prokuroria për vrasjen në Pejë: Siguruam dëshmitarë okularë

Sahide Gashi, prokurore e rastit tragjik të ndodhur sot në Pejë, ku dyshohet se i biri e ka vrarë nënën e tij ka deklaruar se kanë siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes.

Gashi tha se kanë provuar të marrin në pyetje të dyshuarin, mirëpo i njëjti sipas prokurores, nuk ka qenë në gjendje të flasë.

Ajo shtoi se nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e të dyshuarit.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitin e forenzikës ku janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, gjithashtu kemi siguruar autorë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin të marrim në pyetje, mirëpo i njëjti  nuk ka qenë në gjendje, në prani të mbrojtësit kështu që kemi urdhëruar që nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij”- ka njoftuar prokurorja.

“Po ashtu do të vazhdojmë me hetime në bazë të të gjitha rrethanave do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në insistitutin e psikiatrisë forenzike të dyshuarit dhe do vazhdojmë me hetime deri në ndriqimin përfundimtar të këtij rasti”- shtoi ajo.

Gjithashtu, Gashi theksoi se falë reagimit të shpejtë të Policisë së Pejës, i dyshuari është arrestuar në mënyrë të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm apo të lëndojë vetveten.

Ndërkaq, komandanti i stacionit policor, Ndue Nikolla nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhur vrasja pasi siç tha ai “për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe meqë ka të bëjë me rast brenda familjes, këto janë informacionet që mund t’i japim”.

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për KALLXO.com se ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Mbreti Zog”,  të këtij qyteti.

Ndërkaq, KALLXO.com mëson se arma e krimit është armë e ftohtë, pra thikë dhe se dyshimet janë që djali dyshohet se me thikë i ka prerë kokën nënës së  tij.