Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Bashkëfshatarët e Hashim Thaçit ankohen për probleme me rrymën

Shtyllat elektrike të vjetruara, telat e varur në pemë dhe energjia e dobët elektrike në fshatin Burojë të Skenderajt po dalin të jenë mjaft shqetësuese për banorët e lagjeve Duraku, Begani, Jusolli dhe një pjesë e asaj Kaçkini.

Buroja është fshati i lindjes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Foto: KALLXO.com

Banori i këtij fshati, Bashkim Murseli, thotë për KALLXO.com se banorët ndihen të rrezikuar nga telat e energjisë elektrike që gjenden të varur.

“Teli është i vjetër, edhe një frymë apo një shtrëngatë e fortë gjithë kemi problem me këputjen e telit të cilët rrezikojnë jetën e banorëve, jetën e fëmijëve, të shtazëve edhe në përgjithësi të amvisërisë siç janë televizionet, frizat, motorët e ujit e shumë tjera”, u shpreh Murseli.

Bashkim Murseli – Foto: KALLXO.com

Njëjtë shprehet edhe Shaqir Duraku i cili thotë së për shkak të përçueshmërisë së dobët të rrymës, ata po detyrohen që të përdorin pajisje për të përforcuar rrymën.

“Përforcimet i bëjmë, televizorit duhet më ja ble reduktorin, makinës së larjes duhet me ja ble trafo, motorit të ujit tjetër trafo. Çdo pajisje qe e kemi na duhet me be me përforcim se ndryshe nuk na punojnë. Edhe rrymën pe shihni edhe ju vetë së në çfarë gjendje është, shumë shumë e dobët”, tha ai.

Shaqir Duraku – Foto: KALLXO.com

Ai ka bërë thirrje tek institucionet kompetente që të veprojnë sa më shpejtë në rregullimin e kësaj problematike për ta, nga të cilët thotë së ka marr premtime më parë.

Lidhur më këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala i cili deklaroi së do të intervenojnë në këto lagje të cilat nuk është investuar më parë në Burojë.

“KEDS e ka trashëguar atë gjendje të rrjetit në atë pjesë. Sigurisht që gjendja ka qenë shumë më e rendë por është përmirësuar pasi kompania ka investuar ne vazhdimësi edhe në atë pjesë. Ne vetëm sivjet jemi duke investuar në qindra projekte që përfshijnë qindra lokalitete dhe do të vazhdojmë të bëjmë ketë edhe vitet në vijim duke përfshirë edhe lokalitetin qe ju e apostrofoni”, thuhet në përgjigjen elektronike të KEDS-it.