Skenderaj - kallxo.com

Investimet në Skenderaj që u nisën pas debatit "Jeta në Komunë"

Rruga “Sami Geci” në fshatin Llaushë dhe rruga “Dëshmorët e Burojës” në fshatin Burojë të Skenderajt kanë filluar të ndërtohen pas premtimit që Kryetari i Skenderajt e bëri në debatin “Jeta në Komunë”.

Në kuadër të debatit për Komunën e Skenderajt me të ftuar Bekim Jasharin, banorët e këtyre dy fshatrave ngritën shqetësimin për mungesën e infrastrukturës afër shtëpive të tyre.

Për të dy këto rrugë, Jashari dha premtim se do të asfaltohen brenda këtij viti.

Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se tashmë Komuna e Skenderajt veçse ka nisur punimet dhe deri më tani është vendosur zhavorri.

Në fshatin Llaushë kanë nisur punimet javë më parë, por  për shkak të ndryshimeve atmosferike ishin ndërprerë për një kohë.

Rruga “Sami Geci” në Llaushë, 4 nëntor 2020

Kurse, së fundmi kanë filluar punimet edhe për rrugën “Dëshmorët e Burojës” në fshatin Burojë.

Banori që ishte ankuar në KALLXO.com ka dërguar një video të nismes së këtij investimeve ku shihen edhe ekskavatorët.

Fshati i lindjes së ish-presidentit Hashim Thaçi ka përfituar investime edhe në tri raste të tjera pas raportimit të KALLXO.com

Është fjala për një pjesë të rrugës rajonale Skenderaj-Klinë që ndodhet në fshatin Burojë, për të cilën banorët ishin ankuar për asfaltin e dëmtuar e që po u shkakton problem edhe në qarkullim.

Një tjetër raportim i KALLXO.com rezultoi që edhe shtyllat e betonit të vendosen nëpër disa pjesë të fshatit duke i mundësuar energji elektrike më të qëndrueshme lagjeve Duraku, Begani, Jusolli dhe një pjesë e asaj Kaçkini.

Para dy muajve, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com, Komuna e Skenderajt ka larguar një deponi ilegale në fshatin Burojë, përkatësisht në rrugën “Mulla Ilaz Buroja”.

Në anën tjetër, për më shumë se një muaj ka filluar edhe rregullimi i ndriçimit publik në rrugën “Rasim Kiçina” në qytetin e Skenderajt.

Për këtë problem të banorëve KALLXO.com kishte raportuar në muajin tetor 2018. Kjo Komunë kishte premtuar se do ta rregullojnë këtë çështje në vitin 2019. Platforma për vertifikimin e fakteve KRYPOMETRI e kishte vlerësuar si Rrenë, pasi banorët në muajin shkurt 2020 ende përballshin me mungesën e ndriçimit publik.

E çështja e njëjtë ishte përmendur edhe në hulumtimin e gjatë të KALLXO.com

Ndriçimi publik në rrugën “Rasim Kiçina” në Skenderaj Foto: KALLXO.com, 13 nëntor 2020

Më 5 tetor është transmetuar debati “Jeta në Komunë” me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari përballë gazetares Jeta Xharra e me të ftuar asamblistët Hysni Mehani – Lëvizja Vetëvendosje, Besarta Meha – Partia Demokratike e Kosovës, Pajazit Isufi – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Isa Fejzullahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Gentiana Zeqiri – Shoqëri civile.

Telashet e zëshme në komunën e kryetarit të heshtur