Fshati i Hashim Thaçit, rruga e papastruar nga bora dhe tentimi i 17 vjeçarit për të votuar (VIDEO)

Në fshatin Burojë të Komunës së Skenderajt, e cila është vendlindja e ish-presidentit Hashim Thaçi, rrugët nuk janë pastruar nga bora që ka rënë ditët e fundit.

Ndërkohë, në po të njëjtin fshat, një 17 vjeçar ka tentuar të votojë në qendrën e votimit “Abedin Rexha – Sandokani”.  E disa metra larg kësaj shkolle janë të vendosura disa posterë të kandidatëve për deputetë të PDK-së.

Në videon e mëposhtme dëgjohet edhe njëri nga komisionerët në qendrën e votimit “Abedin Rexha – Sandokani” duke i thënë që ai nuk ka të drejtë të votojë si 17 vjeçar.

17 vjeçari kërkoi falje dhe doli nga vendvotimi.

 

 

Në videon e mëposhtme mund të shihni edhe vështirësitë në të cilat hasin veturat në rrugët ku është shtresuar bora brenda fshatit Burojë.

Pak metra nga qendra e votimit “Abedin Rexha – Sandokani”, sipër një marketi janë të vendosura disa posterë të kandidatëve për deputetë të PDK-së.

Në dritare e shtëpisë shihen posterët e Blerta Deliu – Kodrës, Ganimete Musliut, Musli Gucatit dhe Vesa Brojës.

Deri në orën 15:00 në Skenderaj kanë dalë për të votuar 28,8% ose 14,822. Gjithsej në Skenderaj janë të regjistruar 51,341 votues.

Gjtë ditës janë regjistruar dy incidente në Skenderaj.

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka konsideruar se zgjedhja e Qeverisë së Avdullah Hotit ishte bërë me shkelje ligjore.