VIDEO - Polemika në Kuvend mes qeverisë dhe opozitës për tregun e energjisë elektrike

Tema e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike ka ngjallur polemika në Kuvendin e Kosovës  në mes të Qeverisë dhe partive opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se privatizimi  i distribuimit të energjisë ka bërë që tash të ketë probleme në këtë drejtim.

“Shumë probleme që i kemi sot i kanë rrënjët e vjetra. Edhe problemi  i çmimit të energjisë elektrike e ka shkakun para 8 vjetëve te privatizimi i distribucionit dhe furnizimit”, theksoi ai.

Kurti shtoi se jo gjithçka mund të rregullojnë brenda 10 ditësh, si dhe akuzoi pushtetet e kaluara.

“Ministrja e Ekonomisë është doktore e shkenca të ekonomisë dhe ajo ndoshta e ka të vështirë t`i kuptojë disa gjëra që kanë ndodhur këto 20 e sa vjet sepse nuk i gjen në libra të ekonomisë, i gjen në libra të romaneve kriminalistike”, theksoi Kurti.

Më pas reagoi edhe deputeti  i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Z. kryeministër s’ke nevojë me u bo nevoz, sepse krejt çka po bon po del po arsyetohesh. Ti ke marrë mandatin me qeverisë vendin dhe jo me arsyetu për secilën punë. Është e vërtetë që po flet probleme të vjetra, njerëzit po preisn qasje të rë. Për çështjen e energjisë ti nuk dallon asgjë prej Ramush Haradinaj e Avdullah Hotit sepse ky është problem prej asaj kohe”, tha ai.

Krasniqi akuzoi Kurtin për neglizhencë.

“Na duhet me ditë a je për apo kundër liberalizimit të tregut. Kohë ke gjet edhe për pikinik, edhe me marr shtëpi 400 metra në qendër të Prishtinës kohë, pate për t`u vaksinuar i pari, ndërsa kohë për qytetarët s’po ke.  Pritjet prej teje i kam zero, nashta deputetët e tu i kanë se i ke hipnotizuar”, theksoi deputeti.

Sërish reagoi kryeministri Kurti i cili tha se duhet përgatitur për liberalizmin e tregut të energjisë.

“Këtu jap llogari si kryeministër. Arsyetime e mia konsistoj në temën që keni shtruar ju. Ju keni pritje prej meje prandaj ankoheni, i keni pritjen e mëdha dhe doni shpejt atë që nuk e keni bërë për vite, e kërkoni shpejt prej meje. Ne duhet të përgatitemi për liberalizimin të tregut”, tha ai.