Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Prokurori jep detaje rreth vdekjes së 21-vjeçares në Bellanicë

Një vajzë 21-vjeçare ka vdekur dje në Bellanicë të Malishevës.

Policia e Malishevës ishte njoftuar për vdekjen e viktimës nga ekipi mjekësor, i cili i ishte përgjigjur një kërkese për ndihmë.

Ndërsa, lidhur me rastin KALLXO.com ka marrë detaje nga prokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorit, viktima nuk ka pasur asnjë shenjë të dhunës në asnjë pjesë të trupit.

Prokurori Buzhala ka treguar se viktima është B.K., e lindur më 2000.

Ajo është gjetur e vdekur në dhomën e shtëpisë dhe aty kanë qenë edhe dy motrat e viktimës.

Sipas tij, viktima dyshohet se ka vdekur si pasojë e problemeve shëndetësore.

“Sipas familjarëve, viktima ka pranuar tretman mjekësor që një vit e gjysmë për shkak të anemisë. Para se të vdiste, sipas familjarëve, viktima ka pasur të vjella 1-2 orë para se të vdiste…”, tha prokurori Ramiz Buzhala për KALLXO.com, duke treguar se ai ka gjetur vetëm raportin e fundit mjekësor të viktimës ku i është përshkruar ushqim artificial.

“Sipas familjarëve, raportet paraprake mjekësore i kishte djegur nëna e viktimës. Në raportin e fundit, ku është përshkruar ushqim artificial, dhe këtu më ka lindur dyshimi se kur e ka parë mjeku në atë gjendje, se gjendja e saj shihej se ka qenë e dobësuar, është dashur mjeku ta trajtojë duke e pasur parasysh se ajo ishte shumë e dobët, shumë e ligësht”, tha prokurori Buzhala.

Gjithsesi, sipas prokurorit, shkaku i saktë i vdekjes do të dihet pas autopsisë.

Viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.