VIDEO - Kosovarët dynden në Shqipëri, kolona në kufi

22 mijë e 145 shtetas kosovarë me 4 mijë e 58 automjete kanë hyrë në Shqipëri nga ora tre e mëngjesit.

Këtë e ka bërë të ditur Policia Shqiptare përmes një komunikate.

Ky fluks i madh i kosovarëve ka bërë që Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit të shtojë numrin e sporteleve për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet që Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.

Edhe numri i Policisë rrugore është rritur për të përballur këtë fluks të kosovarëve që janë nisur drejt Lezhës.

Policia ka apeluar te shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos bëjnë tejkalime.

“Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes. Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës”, thuhet në komunikatë.