VIDEO - Kosova ka edhe një laborator për teste për COVID-19 por nuk e shfrytëzoi asnjëherë

Që nga 13 marsi, kur u konfirmuan rastet e para me COVID-19, Kosova ka shfrytëzuar vetëm laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për testime.

Megjithatë, në Kosovë është edhe një laborator, në të cilin mund të kryhen testime, por që nuk është përdorur asnjëherë.

Këtë laborator e ka Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zëdhënësi Lamir Thaçi tha se Agjencisë nuk i është kërkuar asnjëherë nga institucionet shfrytëzimi i këtij laboratori.

“Ne e kemi ndihmuar Institutin e Shëndetësisë Publike apo i kemi dhënë në huazim një njësi  komplet pajisjesh për ekstraimin e përgatitjes së mostrave për testim për COVID-19 dhe njëkohësisht kemi ofruar mbështetje me krejt kapacitetet që i kemi kurdo që paraqitet nevoja që ne t’i ndihmojnë në çfarëdo forme që kërkohet nga ana e tyre”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tha se për këtë laborator dhe pajisjet e tjera të Agjencisë kanë qenë të informuara të gjitha institucionet.

 

 

“Testimet për COVID mund të kryhen edhe në laboratorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, por duhet të paraqitet si kërkesë nga IKShPK dhe ata e dinë që ne e kemi një hapësirë, e dinë pajisjet që ne i posedojmë dhe e dinë kapacitetin që e kemi. Ne nuk e kemi kapacitetin që e ka IKShPK . Ata kanë kapacitet më të lartë në zhvillimin e testimeve, por ky kapacitet që ekziston në ditë të caktuara me numër të caktuar të mostrave dhe sigurisht na duhet mbështetje për plotësim të zinxhirit të pajisjeve dhe materialeve testuese që janë për testim”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e njeh laboratorin e Agjencisë dhe  institucionet shtetërore kanë të drejtë ta përdorin kurdo që u nevojitet për testime të tjera, përveç testimeve për sëmundjet ngjitëse të kafshëve.

“Instituti deri më tani ka kërkuar marrjen në shfrytëzim  të disa pajisjeve që ne i kemi në posedim. Këto pajisje janë dhënë në shfrytëzim që nga dita e parë ku janë kërkuar . Njëkohësisht kemi  ofruar mbështetje apo kemi dërguar edhe një zyrtar nga laboratori për të pa mundësinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm për zhvillimin e testimeve për COVID-19”, ka deklaruar më tej ai.

Lamir Thaçi ka thënë se stafi i Agjencisë është i përgatitur për metodat dhe procedurat e testimit dhe me shumë pak ndihmë nga Instituti dë të mund të kryheshin edhe testimet për COVID-19.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë nëse do ta shfrytëzojë këtë laborator nëse ka shtim të rasteve por deri në momentin e publikimit të këtij raporti nuk kemi marrë përgjigje.