Kërcënimet e "Severna Brigada", Sveçla thotë se ndjehet i sigurt falë Policisë së Kosovës

Për gjetjen e armatimit në Zveçan, njoftimi i parë erdhi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Më pak se një orë pas këtij njoftimi, në media u raportua se Sveçla u kërcënua nga organizata që u shpall terroriste nga Qeveria e Kosovës, “Brigada e Veriut”.

Sipas raportimeve, profili në Facebook i kësaj organizate komentoi në postimin e Sveçles.

Lidhur me këtë sot ka folur vet ministri. Ai ka thënë se ndjehet i sigurt pas këtij kërcënimi që mori.

“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre” – tha Sveçla.

Armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv janë gjetur dje në Zveçan, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës.

Armatimi është gjetur në një shtëpi në këtë qytet, e sipas ministrit të Brendshëm, shtëpia ku është gjetur armatimi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

Sveçla ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

Nga Policia e Kosovës njoftuan se deri më tash nuk ka të arrestuar, por ka persona të dyshuar.