Ilustrim: Mbyllja e një lokali nga ATK - Foto: KALLXO.com

VIDEO: ATK mbyll bizneset e borxhlinjve

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbyllur disa biznese në Komunën e Prishtinës të cilat nuk i kanë paguar detyrimet tatimore tash e disa vite.

Për këto biznese shumë qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com se nuk po lëshonin kuponë fiskalë.

Për 3 vite me radhë ATK kishte zhvilluar disa kontrolle dhe kishte shqiptuar gjoba për moslëshim të kuponëve fiskalë.

Borxhi që këto biznese ia kanë ATK-së i tejkalonte 200 mijë euro.

“Gjatë vitit 2021 kemi ndërmarrë masa të konfiskimit ndaj 19 rasteve, bizneseve, në vlerë prej 4 milionë euro ndërsa ndaj disa prej tyre kemi ba edhe bllokimin e veprimtarisë sikurse është rasti i parkingjeve”, tha drejtori i operacioneve, Nijazi Asllani.

Sipas drejtorit, ATK-ja gjatë vitit 2021 ka trajtuar një numër më të madh të borxheve në krahasim me vitet paraprake.

“Gjatë vitit 2019 janë trajtuar 202 raste në vlerë prej 5 milionë euro, në vitin 2020 i kemi pasë 926 raste me borxh të menaxhuar në vlerë 39 milionë euro ndërsa në vitin 2021 i kemi 1,744 biznese me borxh të menaxhuar mbi 69 milionë euro, që është shumëfish më e lartë”, deklaroi Asllani.

I pari i operacioneve ka paralajmëruar të gjitha bizneset që kanë detyrime në ATK se më nuk do të ketë borxhe të cilat parashkruhen.

Në fund ai tha se ATK ka propozuar që në ligjin e ri të parashihet mbyllja e përkohshme e bizneseve të cilat nuk lëshojnë kuponë fiskalë.

“Kemi propozuar ndryshime në ligj. Jemi duke tentuar që ta shtojmë në funksion një sistem të ri i cili pas shqiptimit të 3 gjobave ndaj një biznesi për moslëshim të kuponëve fiskalë, të ndërmarrim masa në ngjitjen e shiritit dhe ndalimit të aktivitetit të atij biznesi”, përfundoj Asllani.

Në mars të vitit 2021, KALLXO.com kishte raportuar për ngecjen e ATK-së në konfiskimin e pasurisë së bizneseve të cilat i detyrohen këtij institucioni qindra mijëra euro.

Sa është zbatuar konfiskimi ndër vite

Gjatë vitit 2016 ndonëse me një numër të madh të borxheve brenda saj, ATK-ja kishte ndërmarrë masën e konfiskimit të pasurisë vetëm në 18 raste. Vlera e pasurisë së konfiskuar në këto raste ishte vetëm 3,625.00 €.

Viti 2017 në të cilin pritej të kishte përmirësime sa i përket konfiskimeve dhe mbledhjes së borxheve ndodhi e kundërta pasi numri i konfiskimeve pësoj rënie nga 18 sa ishte në vitin 2016 në 15 raste.

Pak përmirësime ATK-ja shënoi në vitin 2018 kur e rriti numrin e konfiskimeve nga 15 në 74 raste ndërsa vlera e konfiskimeve ishte vetëm 23 mijë euro.

Gjërat filluan të përmirësohen gjatë vitit 2019 pasi vlera e konfiskimeve u rrit për mbi 950 mijë euro e numri i konfiskimeve shkoi në 580 raste.

Trendi i rritjes së konfiskimeve pësoi rënie gjatë vitit të pandemisë, vitit 2020. Në këtë vit konfiskime të pasurisë pati vetëm në 52 raste ndërsa të hyrat nga to shkuan në 520 mijë euro, teksa në vitin 2021 ATK-ja është ngjallur sa i përket mbledhjes së borxheve dhe konfiskimit të pasurisë së bizneseve që i detyrohen, duke mbyllur kështu edhe aktivitetet e këtyre bizneseve.