Vlora Haxhimehmedi

Vetëvendosje nga 10 deri më 17 qershor shënon javën e saj

Lëvizja Vetëvendosje nga 10 qershori deri më 17 qershor, do të shënojnë Javën e këtij subjekti.

Ky subjekt do të mbajë pjesërisht zgjedhje të brendshme, ndërkohë sekretare e re organizative tashmë është Vlora Haxhimehemdi. Bashkë me kryetarin Albin Kurtin, në një konferencë për media, shpjeguan aktivitetet që do t’i mbajnë gjatë “Javës së Lëvizjes Vetëvendosje”.

Konferenca u mbajt pasi Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen me qendrat e saj. Në konferencë u bë e ditur se VV do të mbajë pjesërisht zgjedhje të brendshme të anëtarësisë, për të kompletuar strukturat nëpër qendra.

Si dhe u njoftua se sekretarja e re organizative e LVV’së do të jetë, Vlora Haxhimehmedi, e cila doli në konferencë bashkë me Kurtin.

“Nga 10 qershori deri më 17 qershor do të zhvillojmë atë që e kemi quajtur “Java e Lëvizjes”, e brenda kësaj jave ka disa data shumë të veçanta. Fillon me 10 qershorin – shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, vazhdon me 12 qershor – 13 vjetori i Lëvizjes, vazhdon me 17 qershorin – lindjen e veprimtarit, politikanit, studiuesit dhe mendimtari i çështjes kombëtare Ukshin Hotit që do t’i kishte bërë 75 vjet. Atë javë të gjithë do të jemi bashkë për organizim e në organizim. Vetëm organizimi qon para aspiratat politike, progresiste dhe kombëtare”, ka thënë ajo.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se këtë Javë do të kenë shumë aktivitete.

Sipas tij, Vetëvendosje që 10 vite shënon përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

“Gjatë kësaj jave, që fillon me shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, do të kemi aktivitete të shumta me aktivistë, anëtarë, simpatizantë e qytetarë, sepse konsiderojmë që është datë themeltare e popullit tonë, sikurse që është edhe 28 nëntori”, tha Kurti.

Kurti bashkë me Haxhimehmedin deklaruan se këtë vit në LVV janë regjistruar 3 mijë anëtarësime të reja dhe se rëndësi të veçantë do i japin grave.