Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosje në Malishevë thotë se do t’i hetojë lejet për gurthyesit në këtë qytet

Kandidati për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se vendimi i parë që do ta marrë është të krijojë moratorium për dhënien e lejeve të reja për gurëthyesit në Malishevë.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se do të hetohen të gjitha lejet komunale që janë dhënë për gurëthyesit ekzistues.

“Kam qenë njëri nga zërat kryesorë që të ndalen gurëthyesit që operojnë në mënyrë të dyshimtë. Njëri prej tyre është edhe ky i vëllait të Hashim Thaçit, ka edhe gurëthyes të tjerë por ky njihet pak më shumë, leja i është dhënë në kohën e Isni Kilajt, le të dihet botërisht dhe pastaj i ka marrë pëlqimet kohë pas kohe pa problem. E njëjta ka ndodhë edhe te gurëthyesit në Bellanicë e Kërvasari. Gurëthyesit në Kërvasari i është dhënë leje e është vetëm 200 metra larg rezervuarit të ujit. Vendimi i parë që do ta marrë është të shpalli moratorium katër vjeçar për dhënien e lejeve të reja. Do të hetohen të gjithë gurëthyesit për mënyrat se si janë dhënë lejet komunale”, ka thënë Krasniqi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Malishevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetarë të komunës së Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Bajrush Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Kastriot Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selajdin Bytyci, kandidat i Pavarur. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Malishevës: Marigona Ramaj AAK, Sadije Krasniqi LVV, Trëndelinë Begaj LDK.