KEDS: Rikthehet furnizimi me rrymë në Malishevë

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka bërë të ditur se janë sanuar dëmet dhe është rikthyer furnizimi me energji elektrike në Malishevë.

Rreth mesnatës, janë shkaktuar dëme në një largpërçues në këtë komunë.

Kjo linjë, sipas KEDS, është dëmtuar si shkak i mbingarkesës në rrjet, ku shumë përçues kanë rënë në tokë.

“Sanohen dëmet e shkaktuara në LP 35kV Malisheva, rikthehet furnizimi me energji elektrike. Dëmet e shkaktuara në Largpërçuesin 35kV (kilovolt) Malisheva rreth mesnatës, janë sanuar sot nga ekipet e KEDS-it në terren”- njofton KEDS.

“Kjo linjë 35kV, e cila gjendet në zonën malore të atij rajoni, është dëmtuar shkaku i mbingarkesës në rrjet, për çka shumë përçues të rrymës elektrike kanë rënë në tokë. Falë angazhimit të ekipeve të terrenit, të cilat punuan gjatë tërë natës, duke vazhduar edhe ditën e sotme, dëmi i shkaktuar nga kjo mbingarkesë është sanuar, ndërkaq Malishevës i është rikthyer furnizimi me energji elektrike”- shton më tej KEDS.

KEDS-i tutje potencon se  vazhdimisht u bën thirrje konsumatorëve që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike dhe ta shfrytëzojnë në mënyrë sa më efiçiente që është e mundshme, sepse kursimi i energjisë elektrike nënkupton edhe eliminim të mbingarkesave dhe furnizim shumë më stabil me energji elektrike në zonat e ndjeshme.