VIDEO - Banesat e ndërtuara nga ndërkombëtarët, disa banorë të Malishevës kërkojnë t’i marrin në pronësi

Në lagjen “Mirëdita” të Malishevës janë disa banesa të cilat janë ndërtuar nga ndërkombëtarët si ndihmë e luftës.

Janë gjithsej tetë ndërtesa, dy katshe. Në ato jetojnë rreth 32 familje.

Banorët e këtyre banesave po kërkojnë që t’iu njihet e drejta e pronësisë.

Cen Desku i cili është përfaqësues i banuesve në këto banesa thotë se në vazhdimësi kanë bërë kërkesë në Komunën e Malishevës

Sipas tij, nuk ka të drejtë Komuna t’i përvetësojë ato banesa.

“Kur ka skaduar afati 5 vjeçar në 2006, ne i kemi bë kërkesë Kuvendit Komunal në Malishevë me na u njoftë e drejta e pronësisë, por nuk e kanë shqyrtu, nuk kemi marrë asnjë përgjigje, prapë kemi vazhdu, në 2014 me kërkesë të njëjtë me nënshkrim të të gjithë banorëve, nuk kemi marrë përgjigje”

“Prapë në 2016 e kemi përsërit kërkesën, në 2016 në fakt kanë formu një komision komuna për me ardhë më verifiku gjendjen këtu dhe me i pa dokumentacionin, ndonëse janë edhe në e-arkiv të Komunës, mund të verifikojnë edhe vetë, edhe prapë një kërkesë të fundit në 2018, jemi formu një komision, kam qenë unë përfaqësues, komuna me përfaqësues, kemi mbajtë dy takime por nuk është vazhdu puna e këtij komisioni, kështu që kemi mbetë pa definim të pronës, pronë e askujt janë këto banesa” – tha ai.

Desku ka kërkuar që t’iu bëhet një zgjidhje nga Komuna e Malishevës.

Sipas tij, duhet që kjo cështje të vendoset në një rend të ditës në asamblen komunale.

“Komuna duhet me bë një zgjidhje nëse s’din ligjet e kuptueshme që munden mos me pasë njohuri, le të shkojnë në ministri i kemi ligjet në nivel në Kosovës dhe lë të marrin vendime ose le ta qesin në asamble me vota prona e kujtë është” – thotë ai.

Ndërkaq, nga Komuna e Malishevës për çdo pretendim, banorët përfitues të banesave sociale, i kanë rrugët ligjore të cilat duhet ti ndjekin.

“Në bazë të të dhënave nga drejtoritë përkatëse, lidhur me çështjen e banesave, ju informojmë se përfituesit e atyre banesave sociale, kanë nënshkruar kontratë me komunën për shfrytëzimin e tyre, që praktikisht janë përfitues të përkohshëm të banesave”

“Pra çështja është e zgjidhur, sepse janë përfitues të përkohshëm, bazuar në kontratat e nënshkruara. Të njëjtit, pas kalimit të afatit bazuar në kontratat e nënshkruara, kanë refuzuar ti ripërtërijnë kontratat” – thotë zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi.

Sa i përket Komisionit, Komuna thotë se puna nuk është shkuar deri në fund dhe së nuk e kanë një raport përfundimtar.

“Komisioni për trajtimin e kësaj çështje ka qenë i formuar nga ana e Kuvendit të Komunës (mandati i kaluar) dhe i njëjti, nuk e ka përfunduar punën deri në fund për arsye që ne nuk mund ti dimë dhe rrjedhimisht nuk mund ti komentojmë,  sepse edhe ashtu ka përfunduar mandati i kuvendit dhe nuk kemi një raport përfundimtar nga ai komision” – tha ai.