Vetëizolohen një mjek dhe dy infermierë, transportuan të prekurën me coronavirus në Suharekë

Një mjek dhe dy infermierë janë vetëizoluar pasi që të njëjtit kishin transportuar dhe kontrolluar pacienten 53 vjeçare nga Komuna e Suharekës e cila pas testimeve kishte dalur pozitiv me virusin COVID-19

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Suharekës, Sala Bytyçi.

Sipas drejtoreshës Bytyçi njëri nga infermierët i cili ka asistuar nuk ka qenë i pajisur me veshmbathje.

“Po ata e kanë transportuar kanë qenë të mbrojtur me mjete mjekësore veshmbathjet që janë sjellë nga Ministria e Shëndetësisë, por këto veshmbathje i ka pasur vetëm dy punëtorë, një nuk ka qenë i pajisur ai ka asistuar dhe është vetëizoluar edhe këta dy tjetër janë vetëizoluar. Një mjek dhe dy infermierë”, tha Bytyçi për KALLXO.com.

Ajo shtoi se 53 vjeçarja nga Suhareka dyshohet se është infektuar nga një familjar i saj i cili kishte ardhur për vizitë nga Zvicra dhe më pas është kthyer sërish atje ku edhe është diagnostifikuar me virus.

“Ka pasur një kontakt familjar të afërt, ka qenë në vizitë ai. E më pas ai është kthyer në Zvicër dhe atje është diagnostiku me COVID- 19 tash edhe kjo është konfirmuar nga dje. Tani çka do të ndërmirren janë masat e izolimit, me rekomandimin e IKSHP-së, Instituti ka shkuar sot i ka vizituar, ju ka dhënë instruksione të vazhdueshme familjes, se të prekuës, dhe vazhdohet më tutje, pra është edhe pjesa e vetëizolimit”, tha tutje drejtoresha.

Deri sot që nga 13 marsi, 24 raste janë konfirmuar pozitiv me coronavirus në Kosovë.

Një sërë vendimesh janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, për të parandaluar pandeminë. Sipas institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë personat që bien ndesh me vendimet e qeverisë do të ndiqen penalisht.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.