Veseli: Qeveria dështoi por institucionet funksionuan

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, nga ku falënderoi të gjithë policët për punën e mirë që po kryejnë gjatë pandemisë.

Veseli tha se Qeveria Kurti ka dështuar në 100 ditëshin por sipas tij  “institucionet e Kosovës të krijuara me shumë mund gjatë 20 viteve, funksionuan shumë mirë”.

“Akademia e Policisë nuk është duke punuar, mirëpo efektet e akademisë janë duke u parë, të cilat janë funksionale dhe kredibile dhe të cilat kanë besim tek qytetarët në momentin kur kemi vendime politike te cila janë kaotike dhe krijojnë konfuzion siç ka bërë kjo qeveri këto 100 ditë. Sot është 100 ditëshi i kësaj qeverisje dhe janë 100 dështime të njëpasnjëshme. Por 20 vjet investime në institucionet e Kosovës tregojnë se Policia, Zjarrfikësit, Dogana dhe punonjësit shëndetësorë janë duke kryet punën e vet”, tha lideri i PDK.

Ndërsa, Ismail Smakiqi, drejtor i Akademisë për Siguri Publike në Vushtrri tregoi se nuk kanë kadetë të mjaftueshëm.

“Meqenëse nuk kemi kadetë, nuk kem studentë dhe po vazhdojmë online. Kurse me kadetë po presim momentin qe institucionet qendrore të vazhdojnë punën, sepse policia e Kosovës ka nevojë për kadetë dhe kjo është gjendja momentale. Ne kemi një staf esencial është në përgatitje të riakreditimeve të akademisë”, tha Smakiqi.

Ai foli edhe për akreditimet qe do të kenë vitin e ardhshëm.

“Tri akreditime kemi vitin e ardhshëm, programe profesionale, studimore dhe një program por edhe një ndërkombëtare qe e ka akademia e SHBA-së. Po shpresojmë se do të vazhdojmë me këto riakreditime dhe jemi në përgatitje të tyre”, tha ai më tej.

Partia e Veselit, PDK në zgjedhjet e 6 tetorit ka kaluar në opozitë për herë të parë pas vitit 2008.