Blerim Reka: Gjykatat nuk i kanë mbyllur rastet e shenjëzuara të korrupsionit për liberalizim të vizave

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, në mbledhjen e Qeverisë për 100 ditëshin në qeverisje, tha se kanë konstatuar ngecje në përmbushjen e reformës evropiane në këtë dikaster.

“Tek agjenda evropiane konstatuam ngecje në zbatimin e saj sepse nuk ishte zbatuar gjysma e planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit. Ishte zbatuar më pak se gjysma e agjendës për reforma evropiane ERA 1. Ndërkaq në procesin e liberalizimit të vizave, gjykatat tona nuk kishin përmbyllur rastet e shenjëzuara të korupsionit të lartë dhe krimit të organizuar që kërkoheshin nga Komisioni Evropian që nga viti 2016”, tha Reka.

Ai ka shtuar se duke aplikuar disiplinë financiare kanë arritur ti kursejmë buxhetit të Kosovës 320 mijë euro në vit.

“Ndërkaq të gjitha shpenzimet në ministri i reduktuam në vetëm 15 për qind. Listën me 27 të arriturave e keni në dokumentin e dorëzuar në Qeveri”, tha ai.