Pamje nga vërshimet e janarit në Malishevë - Foto: KALLXO.com

Vërshimet në Malishevë, jepet tenderi për sanimin e dëmeve infrastrukturore

Afër  një muaj pasi që Malisheva u ballafaqua me vërshime, për shkak të reshjeve të shiut dhe të borës, kjo komunë ka dhënë tenderin për riparimin e rrugëve të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ky tender i është dhënë kompanisë “Oriku Ing Sh.P.K” më datën 26 janar 2021.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 30,000 euro dhe kompania ka ofertuar me 29, 810 euro dhe ka fituar këtë tender pasi edhe si kriter ka qenë çmimi më i ulët.

Dy kompanitë e tjera që kanë ofertuar në këtë tender kanë pasur ofertat më të shtrenjta se kompania në fjalë. Njëra ka ofertuar me 29,999 euro e tjetra me 29,885 euro.

Ky aktivitet i prokurimit është bërë me procedurë të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kurse, sipas paramasave të kërkuara nga ana e Komunës, kjo kompani do të bëjë rregullimin e asfaltit të dëmtuar, pastrimet e trotuarëve dhe rregullimin e tyre dhe punë të tjera.

Në anën tjetër, në Malishevë, sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com nga vërshimet janë shkaktuar dëme mbi 500 mijë euro.

Dëmet ekonomike/familjare në këtë komunë janë 236,600 euro, dëmet biznesore 230,300 euro, 11,940 euro në bujqësi dhe në objekte publike 26,000.

Në kategoritë e tjera, sipas të dhënave të komisionit për vlerësim të fatkeqësive në komunën e Malishevës janë 11,000 euro.

Me vërshime u ballafaquan shumë rajone të Kosovës dhe po ashtu u dëmtuan shumë shtëpi e biznese dhe në sektorin e bujqësisë.

Në Gjilan sipas kryetarit, Lutfi Haziri dëmet e shkaktuara kapin vlerën 1.5 milionë euro. Ndërsa dëme pati edhe në Fushë Kosovë, Rahovec, Gjilan, Drenas, Pejë, Kamenicë, Prizren, Vushtrria dhe zona të tjera.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka premtuar fond për kompensimin e këtyre dëmeve. Fondi emergjent, sipas kryeministrit në detyrë Hoti, do të themelohet nga rezervat shtetërore.

Vërshimet në Malishevë, mbi 500 mijë euro dëme

.