Vërshimet në Malishevë, mbi 500 mijë euro dëme

Javë më parë, zona e Malishevës u ballafaqua me vërshime të mëdha për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe të borës.

Shumë shtëpi e biznese u dëmtuan nga uji që ju hyri brenda, e edhe shumë rrugë u bënë të pakalueshme. Pa u trazuar nuk mbeti as Lumi Mirusha si dhe rruga Malishevë-Klinë, u dëmtua pak muaj pasi u përurua.

Projekti për asfaltimin e rrugës Rud – Sfërk u nënshkrua mes Ministrisë së Infrastrukturës e cila drejtohej nga Pal Lekaj i AAK-së dhe Komunës së Malishevës në prill të 2018-ës.

Kjo rrugë që u bë copë-copë i kushtoi buxhetit të Kosovës 420 mijë euro, nga të cilat me 40 mijë euro kishte participuar Komuna e Malishevës.

Pas këtyre vërshimeve, shumica e komunave aktivizuan komisionet për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

Në Malishevë, sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com  nga këto vërshime janë vlerësuar mbi 100 dëme të kategorive të ndryshme në vlerë mbi 542 mijë euro.

Dëmet ekonomike/familjare në këtë komunë janë 236,600 euro, dëmet biznesore 230,300 euro, 11,940 euro në bujqësi dhe në objekte publike 26,000.

Në kategoritë e tjera, sipas të dhënave të komisionit për vlerësim të fatkeqësive në komunën e Malishevës janë 11,000 euro dëme.

Me vërshime u ballafaquan shumë rajone të Kosovës dhe po ashtu u dëmtuan shumë shtëpi e biznese dhe në sektorin e bujqësisë.

Në Gjilan sipas kryetarit, Lutfi Haziri dëmet e shkaktuara kapin vlerën 1.5 milionë euro. Ndërsa dëme pati edhe në Fushë Kosovë, Rahovec, Gjilan, Drenas, Pejë, Kamenicë, Prizren, Vushtrria dhe zona të tjera.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka premtuar fond për kompensimin e këtyre dëmeve. Fondi emergjent, sipas kryeministrit në detyrë Hoti, do të themelohet nga rezervat shtetërore.