Haziri: Mbi 1.5 milionë euro vlera e dëmeve nga vërshimet në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se sipas vlerësimit preliminar të kostos dëmi në sektorin privat pas vërshimeve të fundit, e kalon shifrën 1.5 milion euro

Kjo komunë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se për këtë e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës.

“Punët e tona që i kemi bërë në lumin Mirusha dhe Morava, kanë bërë që parandalohen vërshimet e përmbytjet. Vetëm dalja ujit nga shtrati i lumit Stanishorka është problem, i cili vjen prej Novobërdës dhe kalon përskaj Dheut të Bardhë, në lagjen 2 Korriku, Lagjja e Tregut, të Bahqës së Qytetit dhe livadheve të Malishevës. Dëmi në sektorin privat e kalon shifrën e 1.5 milion euro dhe ne e kemi bërë paraqitjen e parë në Qeveri”, ka thënë Haziri.

Haziri ka kërkuar nga qytetarët e prekur që të bashkëpunojnë me Komisionin, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i drejtë.

“Komisioni komunal sot është duke e bërë vlerësimin për dëmin në sektorin e ekonomisë se sa kanë pasur ndikim vërshimet dhe sa është dëmtuar ky sector. Pasi të kompletohet dosja në sektorin privat, në ekonomi dhe bujqësi, shumë shpejt do ta dërgojmë në Qeveri, me kërkesën për zhdëmtim”, tha Haziri, të hënën.

Fshati Livoç i Epërm në komunën e Gjilanit ka qenë një nga zonat e prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shumta të shiut e borës që ndodhën ditëve të fundit në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar drejtpërdrejt edhe nga Gjilani për situaten atje pas vërshimeve.