Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendosja e barrikadave dhe cenimi i lëvizjes së lirë, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka reaguar ndaj bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës, duke theksuar se veprimet e tilla pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ai ka thënë se është detyrë e autoriteteve që sa më shpejt të gjenden mënyra për të siguruar respektimin e kësaj të drejte.

“Avokati i Popullit vlerëson se duhet të rikthehet rendi dhe ligji në gjithë territorin e vendit, duke mundësuar realizimin e të drejtave civile si dhe mbrojtjen dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara më kushtetutën e Republikës së Kosovës” – thuhët në komunikatë.

Tutje është thënë se nga ana e Qelajt, bazuar në mandatin e tij për mbrojtje dhe mbikëqyrje të të drejtave të njeriut, po përcillen me vëmendje ngjarjet në veri të vendit dhe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën e krijuar.

Avookati i Popullit ia tërheq vëmendjen secilit autoritet që në kuadër të fushëveprimit të tij që ka përgjegjësi kushtetuese e ligjore që në mënyrë të kujdesshme të harmonizojnë të gjitha veprimet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Qelaj tha se mbi bazën e informacionit që ka marr nga mediat për arrestimin dhe ndalimin e ish-policit Dejan Pantiq, ka kërkuar informata zyrtare nga autoritetet kompetente që të sigurohet se po respektohen të drejtat që i ka çdo person i arrestuar apo i ndaluar nga policia” – thuhet tutje në komunikatë.

Për këtë KALLXO.com është interesuar të dijë nëse Qelaj ka kërkuar që të takohen me Pantiq, mirëpo deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Në komunikatë është treguar se Avokati i Popullit e vlerëson angazhimin e të gjitha mekanizmave vendore e ndërkombëtare, për të siguruar në këtë mënyrë të drejtën elementare për siguri, jetë, lëvizje të lirë, të drejtën për punë dhe të drejtat tjera të garantuara.

Sot është dita e gjashtë që nga vendosja e barrikadave në veriun e Kosovës, gjë që ka bërë që edhe pikat e kalimit kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak të mbyllen.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.