Flamuri i Polonisë, Foto: Pixabay

Vendosen marrëdhënie konsullore ndërmjet Polonisë dhe Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë ka njoftuar se më 8 nëntor 2022, Qeveria e Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Poloni, Łukasz Jasina ka bërë të ditur se marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës 5 shtator 2022, për vendosjen e marrëdhënieve konsullore mes Polonisë dhe Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë potencohet se me njohjen e pavarësisë së Kosovës me rezolutën e Këshillit të Ministrave të 26 shkurtit 2008, Republika e Polonisë është përmbajtur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore në të njëjtën kohë.

Marrëveshja e lidhur do t’u mundësojë qytetarëve polakë nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Republikës së Kosovës.

Tutje, në njoftim theksohet se Polonia mbështet integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jep kontribut aktiv në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, përfshirë edhe kontingjentin ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionin policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin  kanë qenë kontribuuesi më i madh. për shumë vite.