Vendimi për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk kalon në Komisionin për Arsim

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport nuk e ka votuar sot vendimin e Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Kjo është shtyrë për mbledhjen e ardhshme, pasi biografia e kandidatit Seb Bytyçi sipas anëtarëve të Komisionit ka gabime gjuhësore dhe sintaksore.

Këtë çështje e ngriti anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në komision, Jahja Kokaj.

“Ne mund ta votojmë, por në një shikim që e kam bërë në CV e Seb Bytyçi, vërejta se ka gabime sintaksore, ka disa fjali që aspak se kupton strukturën e fjalive”, tha Kokaj.

Anëtari tjeter në Komisionin për Arsim nga LV, Fitim Uka tha se një lëshim i tillë tregon joseriozitet, por kërkoi që të miratohet propozimi i Qeverisë në miratim.

“Kjo formë e komunikimit është e papranueshme për institucionet tona, por kërkoj me votu në parim dhe me i kërku kandidatit në fjalë me dorëzu një CV të lektoruar, por duhet edhe një vërejtje për komisionin vlerësues”, tha Uka.

Por, ky propozim i tij nuk u mbështet nga anëtarët dhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se biografia e kandidatit Seb Bytyçi ka probleme gjuhësore, por kërkoi që të plotësohet një CV që i përmbush standardet.

“CV e Seb Bytyçit që është rekomanduar nga komisioni është një CV e begatë, por ka probleme themelore në formulime gjuhësore dhe ka gabime sintaksore dhe kjo është ofendim për institucionin, ai është i duhur nga përvoja, por na duhet m`u konsultu me shqyrtu mundësinë dhe me plotësu një CV që në aspektin gjuhësor i përmbush standardet e komunikimit zyrtar. Kisha kërkuar me shqyrtu në mbledhjen e ardhshme dhe të miratohet sa më shpejtë”, tha Gola.

Për këtë pati pajtim i gjithë komisioni dhe vendosen në mënyrë unanime.