Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, LDK kërkon shkarkimin e ministres Haxhiu

Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpallit të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kushtetuesja vendosi pas pretendimeve të ngritura nga LDK-ja dhe PDK-ja, që ta rrëzojë Ligjin, duke thënë se ai bie ndesh me disa nene të Kushtetutës.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”- thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, shkelësit e Kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, e që siç thotë ky subjekt politik “aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”-  kishte shpjeguar Haxhiu.

Ajo kishte kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

Haxhiu pati thënë se për Projektligjin në atë kohë ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Mirëpo dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës në korrik të 2022-tës kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial.