Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vendimi i fundit i Gjykatës në Prishtinë për zyrtarët e MPB-së të dyshuar për tenderin rreth 2.2 milionësh

Adem Sopa, Bardhyl Behluli, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti, të arrestuarit në muajin korrik, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit lidhur me procedurat tenderuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i’u është ndërruar masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Të dyshuarit gjendeshin nën masën e paraburgimit për tre muaj, që nga katër korriku i këtij viti nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.

Me vendimin e fundit Gjykata e Prishtinës e ka ndryshuar masën e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masë të arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.

Siç mëson KALLXO.com, Prokuroria ka bërë kërkesë për vazhdimin e paraburgimit, por që gjykata ka vlerësuar se kanë pushuar kushtet për vazhdimin e paraburgimit, duke e parë të nevojshme zëvendësimin e kësaj mase me atë të arrestit shtëpiak.

Kundër këtij vendimi ankesë në Apel kishte paraqitur Prokuroria, por Gjykata e shkallës së dytë ka lënë në fuqi vendimin e Themelores për masën e arrestit shtëpiak.

Këtë për KALLXO.com e kanë bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve A. S., B. B., N. S. dhe G. H., iu është ndërprerë dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”.

KALLXO.com në mënyrë ekskluzive kishte dhënë detaje nga dosja e Prokurorisë lidhur me tenderin milionësh në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com për këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti po dyshohet Adem Sopa dhe Bardhyl Behluli, kurse Naim Selmani dhe Gëzim Hoti po dyshohen se kanë kryer veprën penale dhënie e ryshfetit dhe veprën penale Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin.

Sipas dosjes së prokurorisë, Adem Sopa në cilësinë e zyrtarit të prokurimit brenda kësaj ministrie i del në ndihmë të bashkëpandehurit tjetër, Naim Selmani i cili është pronar i kompanisë “Arbëri-NS – SHPK”, në plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimit në aktivitetin e prokurimit i cili titullohet “Ndërtimi  i objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (Llot 1)”.

Sopa sipas Prokurorisë duke shfrytëzuar informacionet zyrtare që kishte lidhur me këtë aktivitet të prokurimit në njërën anë, e duke marrë për bazë raportin shoqërorë mes tyre në anën tjetër, ndihmon Selmanin në përshtatshmërinë e specifikave dhe kërkesave të Autoritetit Kontraktues në MPB, pa dijeninë e operatorëve të tjerë ekonomik.

Pas tërë këtyre veprimeve sipas dosjes, Kompania e Selmanit  “Arbëri-NS -SHPK” shpallet fituese e këtij tenderi me vlerë 2,193,504.85 euro.

Për raportin e tyre shoqëror prokuroria thotë se ka edhe foto-dëshmi.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se Bardhyl Behluli dyshohet se në cilësinë e menaxherit të kontratës në këtë projekt të ndërtimit të Agjencisë Kadastrale më datën 30.12.2022, ka pranuar ryshfet në vlerë prej 2 mijë euro nga i pandehuri Gëzim Hoti, para të cilat ishin dërguar nga pronari i operatorit Ekonomik “Arbëri-NS – SHPK”, Naim Selmani.

Behluli në janar të këtij viti kishte udhëtuar për në Turqi bashkë me të bashkëpandehurit Gëzim Hoti dhe A. S., dhe personi me inicialet R. B., e ku të gjitha shpenzimet për udhëtim dhe akomodim për të gjithë këta persona ishin mbuluar nga Selmani.

E tërë kjo me qëllim që i pandehuri Behluli t`i mundësojë operatorit ekonomik “Arbëri-NS – SHPK” të bëjë ndryshime të punimeve në kundërshtim me masën e projektit.

Mbi këto ndryshime të lejuara nga i pandehuri Behluli, sipas Prokurorisë i pandehuri Selmani më 6 janar të këtij viti në mënyrë direkte ka dhënë ryshfet në vlerë prej 2 mijë euro të pandehurës Nora Shabani në mënyrë që kjo e fundit t`i mundësoj operatorit “Arbëri-NS – SHPK” që në vend të granitit i quajtur “Kuarc” të vendos një lloj tjetër, nga ky operator ku ishte duke kryer punime në objektin e AKI-së.

Tutje dosja e prokurorisë elaboron se si Selamani në vazhdimësi gjatë dhjetorit të vitit 2022 dhe në muajin e parë të vitit 2023 ka kontaktuar firma të ndryshme që merren me ndërtim dhe pompa derivatesh duke u dakorduar që të lëshoheshin fatura fiktive për muajt e sipërpërmendur.

Në këto fatura, sipas dosjes së Prokurorisë faturohej kinse ndonjëra nga firmat, e kontaktuara nga i pandehuri, kanë blerë derivate, makineri ose kanë kryer ndonjë punë për firmën e Selmanit.  E tërë kjo që të zvogëlohej tatimi në fitim, pretendon Prokuroria.

Një nga këto kontrata fiktive ishte lidhur me kompaninë “NNSH World Medium” në vlerë prej 70,000.00 mijë euro, kinse kjo kompani ka kryer punimin e kanalit të ujërave atmosferik në Malishevë.

Ndërsa Gëzim Hoti punonjës në kompaninë “Arbëri-NS – SHPK” ka kontaktuar personat e firmave të ndryshme për t`u dakorduar për kontratat fiktive si dhe kishte dorëzuar shumën e ryshfetit në vlerë prej 2 mijë euro te i bashkëpandehuri tjetër Behluli, në emër të Selmanit.