Dosja e Prokurorisë për tenderin milionësh të MPB-së - Si u kapën dhe për çfarë po dyshohen?

Adem Sopa, Bardhyl Behluli, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti janë katër të arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit lidhur me procedurat tenderuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar dje në Gjykatë,  kjo e fundit mori vendim që katër të pandehurit t’i dërgojë për 30 ditë në paraburgim.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com për këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare  e marrje ryshfeti po dyshohet Adem Sopa dhe Bardhyl Behluli, kurse Naim Selmani dhe Gëzim Hoti po dyshohen se kanë kryer veprën penale dhënie e ryshfetit dhe veprën penale Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin.

Sipas dosjes së prokurorisë, Adem Sopa në cilësinë e zyrtarit të prokurimit brenda kësaj ministrie i del në ndihmë të bashkëpandehurit tjetër, Naim Selmani i cili është pronar i kompanisë “Arbëri-NS”SHPK, në plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimit në aktivitetin e prokurimit i cili titullohet “ Ndërtimi  i objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (Llot 1).

Sopa duke shfrytëzuar informacionet zyrtare që kishte lidhur me këtë aktivitet të prokurimit në njërën anë, e duke marrë për bazë raportin shoqërorë mes tyre në anën tjetër, ndihmon Selmanin në përshtatshmërinë e specifikave dhe kërkesave të Autoritetit Kontraktues në MPB, pa dijeninë e operatorëve të tjerë ekonomik.

Pas tërë këtyre veprimeve sipas dosjes, Kompnia e Selmanit  “Arbëri-NS” SHPK shpallet fituese e këtij tenderi me vlerë 2,193,504.85 euro.

Për raportin e tyre shoqëror prokuroria thotë se ka edhe foto-dëshmi.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se Bardhyl Behluli dyshohet se në cilësinë e menaxherit të kontratës në këtë projekt të ndërtimit të Agjencisë Kadastrale me datën 30.12.2022, ka pranuar ryshfet në vlerë prej 2 mijë euro nga i pandehuri Gëzim Hoti, para të cilat ishin dërguar nga pronari i operatorit Ekonomik “Arbëri-NS”SHPK, Naim Selmani.

Behluli në janar të këtij viti kishte udhëtuar për në Turqi bashkë me të bashkëpandehurit Gëzim Hoti dhe A.S., dhe personi me inicialet R.B., e ku të gjitha shpenzimet për udhëtim dhe akomodim për të gjithë këta persona ishin mbuluar nga Selmani.

Sipas dosjes, e tërë kjo me qëllim që i pandehuri Behluli t’i mundësojë operatorit ekonomik “Arbëri-NS”SHPK të bëjë ndryshime të punimeve në kundërshtim me masën e projektit.

Mbi këto ndryshime të lejuara nga i pandehuri Behluli, i pandehuri Selmani me 6 janar të këtij viti në mënyrë direkte ka dhënë ryshfet në vlerë prej 2 mijë euro të pandehurës Nora Shabanit në mënyrë që kjo e fundit t’i mundësoj operatorit “Arbëri-NS”SHPK që në vend të granitit i quajtur “Kuarc” të vendos një lloj tjetër, nga ky operator ku ishte duke kryer punime në objektin e AKI-së.

Tutje dosja e prokurorisë elaboron se si Selamani në vazhdimësi gjatë dhjetorit të vitit 2022 dhe në muajin e parë të vitit 2023 ka kontaktuar firma të ndryshme që merren me ndërtim dhe pompa derivatesh duke u dakorduar që të lëshoheshin fatura fiktive për muajt e sipërpërmendur.

Në këto fatura, faturohej kinse ndonjëra nga firmat, e kontaktuara nga i pandehuri, kanë blerë derivate, makineri ose kanë kryer ndonjë punë për firmën e Selmanit.  E tërë kjo që të zvogëlohej tatimi në fitim.

Një nga këto kontrata fiktive ishte lidhur me kompaninë “NNSH Ëorld Medium” në vlerë prej 70,000.00 mijë euro, kinse kjo kompani ka kryer punimin e kanalit të ujërave atmosferik në Malishevë.

Ndërsa Gëzim Hoti punonjës në kompaninë “Arbëri-NS”SHPK ka kontaktuar personat e firmave të ndryshme për tu dakorduar për kontratat fiktive si dhe kishte dorëzuar shumën e ryshfetit në vlerë prej 2 mijë euro të i bashkëpandehur tjetër Behluli, në emër të Selmanit.