Foto: Ilustrim

Vrasja në Ferizaj, autorizohet intervistimi i dy personave që e takuan të dyshuarin pak para incidentit

Prokuroria e Ferizajt ka autorizuar intervistimin e dy personave që kishin takuar Q.J., të dyshuarin për vrasjen e G.H., 30-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në orët e para të 28 majit.

Burimet të KALLXO.com kanë konfirmuar se dy personat janë miq të të dyshuarit për vrasje. Të njëjtit kishin qëndruar pak minuta para incidentit në një qendër të lojërave kompjuterike me të dyshuarin.

Gjatë ditës së sotme Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Q.J., për vrasjen e G.H.

Në një njoftim të Gjykatës është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Ferizajt, me ç’rast është caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit.

Më 28 maj, rreth orës 00:53, G.H., 30-vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi ai u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q.J..

Në dosjen e Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën e Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q.J., i cili është vëllai i rep-këngtarit Buta, i ka shkuar mbrapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

Në dosje po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasjeje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G.H. dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.

Sot, vëllai i të pandehurit Q.J., për vrasjen e G.H., 30-vjeçarit nga Ferizaj, rep-këngëtari Buta ka bërë një postim në Instagram në lidhje me rastin.

Ai ka falënderuar personat që i kanë dërguar mesazhe mbështetëse për vëllanë e tij, ndërsa raportimet e mediave i ka quajtur “rrena”.

Reagon reperi Buta pas vrasjes në Ferizaj që dyshohet se u krye nga vëllai i tij