Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vdekja e pacientit pas zjarrit në psikiatri, reagon QIPS

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS ka reaguar pas vdekjes së pacientit në klinikën e psikiatrisë në QKUK.

Nga informatat e publikuara deri më tani QIPS thotë se rasti ndodhi asisoji që “pacienti ishte futur në dhomën e izolimit për trajtim të pavullnetshëm, ku është ndezë një zjarr i cili e vrau pacientin dhe shkaktoi lëndime tek persona të tjerë, duke përfshirë staf dhe një paciente tjetër”.

“ Në moment po dyshohet se, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat, pacienti ka pasur mundësinë që të marr një mjet me të cilin ndezi krevatin dhe rezultoi në fatalitet”- thuhet në reagim.

QIPS ka mirëpritur lajmin nga ShSKUK se janë në proces të vlerësimit të situatës dhe të ndëshkimit ndaj personave përgjegjës por ka kritikuar “metodat regresive të trajtimit të pacientëve” në këtë klinik.

“Sidoqoftë, ne rikujtojmë ShSKUK se duhet të shmangin metoda regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH. Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i “ruajnë nga vetëvetja”. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla”- vazhdon reagimi.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar pasi që zjarri ka përfshirë një dhomë të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK mbrëmjen e së mërkurës.

Zjarri në Psikiatri në QKUK, Policia jep detajet