Vdekja e foshnjës në Gjilan, mjeku i arrestuar dyshohet për neglizhencë

Një rast i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku një foshnje e posa lindur ka vdekur, deri më tani në rrethana të pasqaruara.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se një femër (nëna) ka raportuar se gjatë lindjes fëmija i saj ka vdekur, ndërsa më pas me vendim të prokurorit është arrestuar mjeku që e ka përcjellë lindjen.

KALLXO.com mëson se nëna 26 vjeçare ka raportuar në Prokurori se mjeku që e ka përcjellë lindjen, ka thënë se gjithçka është në rregull, kurse në fund kur ka lindur foshnja ajo ka vdekur.

Sipas burimeve të KALLXO.com, nëna është ankuar në polici dhe prokurori se mjeku e ka neglizhuar pjesën e gjendjes shëndetësore të fëmijës.

Ankesës ndaj mjekut i është përgjigjur prokurori kujdestar ka konstatuar që doktori duhet të ndalohet për 48 orë.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se përveç informatave të Policisë dhe Prokurorisë, që mjeku është arrestuar nën dyshimin për neglizhencë, nuk ka më shumë informata.

“Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00, mjeku është marrë për intervistim dhe është arrestuar, këto janë informatat që i kemi. Informata tjera shtesë nuk kemi tash për tash, ato i presim përmes rrugëve zyrtare prej hetuesisë. Në momentin që i kemi, do t’i bëjmë publike për të gjitha mediat”, ka thënë Emini për KALLXO.com.

As Policia e Kosovës, që mbulon rajonin e Gjilanit nuk ka më shumë informata, përveç atyre të publikuara në Raportin 24 orësh, në të cilin rasti është trajtuar si ‘Trajtim i papërgjegjshëm mjekësor’ dhe ku tregohet se mjeku është arrestuar.

Gjilan vdes foshnja gjatë lindjes, arrestohet mjeku