Foto-ilustrim

Vdekja e dyshimtë në Gjilan, Policia i gjeti në trup viktimës mbi 80 mijë franga e euro

Një person i gjinisë mashkullore është gjetur i vdekur në orët e mbrëmjes të 26.02.2024 në Gjilan.

Viktima është gjetur pa shenja jete në bodrumin e një ndërtese që gjendet në rrugën që shpie për Kamenicë.

Për rastin KALLXO.com ka raportuar më 27.02.2024.

Nga burime brenda Policisë, KALLXO.com ka siguruar informata të reja lidhur me ngjarjen.

Burimet thonë se personi jetonte në ndërtesën ku ka ndodhur rasti.

Po ashtu burimet thonë se në momentin kur ishte gjetur viktima kishte me vete mbi 80 mijë franga e euro.

Në trupin e viktimës Policia kishte gjetur edhe një varëse ari e edhe telefonat.

Hetimet e para tregojnë se viktima u gjet i shtrirë në bodrumin e banesës, në një pjesë përkrah një lifti të ndërtesës.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Gjithashtu, siç tregojnë burimet e KALLXO.com, dy persona janë identifikuar dhe janë intervistuar në lidhje me rastin si personat e fundit që kanë pasur kontakt me të.

Përmes tyre Policia ka tentuar që të zbulojë dhe zbardhë detaje në lidhje me rastin por vdekja vazhdon të mbetet enigmë.

Ajo çka ka mësuar KALLXO.com nga burime brenda Policisë është se te viktima nuk është vërejtur ndonjë shenjë e dhunës, por kjo do të sqarohet tutje pas raportit përfundimtar të obduksionit.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani, në mëngjesin e datës 27.02.2024 ka thënë për KALLXO.com se Policia më 26.02.2024 rreth orës 22:35 kishte pranuar një informacion se në bodrumin e një ndërtese gjendej një person i shtrirë, i cili dyshohej se kishte vdekur.

“Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante dhe me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Trupi i dyshuar pa shenja jete nuk është identifikuar për shkak të rrethanave në vendin ku është gjetur”- ka thënë Hashani.

Rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë.