Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Vdekja e 26-vjeçares nga Drenasi, mjeku thotë se viktima kishte shenja dhune në trup

Një 26-vjeçare mbrëmë ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës pasi ishte dërguar pa shenja jete nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, mjeku kishte konstatuar vdekjen e 26-vjeçares ndërsa kishte deklaruar se viktima kishte shenja në trup.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Mbrëmë, KALLXO.com raportoi se një 26-vjeçare nga Drenasi ka vdekur.

Lajmin për KALLXO.com mbrëmë e ka konfirmuar, Ismet Bogiqi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas.

“E ndjera ka ardhur pa vetëdije në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas. E kanë dërguar në QKUK pa vetëdije, pasi që ia kanë bërë reanimimin por pa sukses. E kanë vërejtur një ndryshim në EKG në zemër, ia kanë dhënë ndihmën fillestare, dhe e kanë dërguar për Prishtinë, me shenja jete por pa vetëdije ka shkuar” – ka thënë ai.