Vazhdimi i seancës së Kuvendit transmetohet pa zë në Youtube

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur pas orës 19:00 për të vazhduar punimet e seancës së jashtëzakonshme.

Kjo seancë është transmetuar pa zë në kanalin zyrtar të Kuvendit të Kosovës në Youtube.

Nga Kuvendi kanë thënë për KALLXO.com se kjo ka ndodhur për shkak të problemeve teknike me platformën Youtube.

Institucioni pritet të njoftojë përmes komunikatës çfarë është shqyrtuar në këtë seancë.

Në pamjet e transmetuara drejtpërdrejt shihet se në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët e partive opozitare nuk shihet se janë kthyer në sallë për këtë seancë.

Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur tri seanca, një të rregullt me pikat e pa përfunduara, ndërsa dy të jashtëzakonshme.

Seanca e parë ka qenë e paracaktuar dhe në rend të ditës të saj ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

Ndërsa një tjetër seancë e jashtëzakonshme u thirr sot për të trajtuar në shqyrtim te dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Deputetët miratuan propozimin që Kuvendi të kthehet pas orës 19:00 për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti dhe shqyrtim e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

LDK dhe AAK kundër mbajtjes së seancave të jashtëzakonshme sot, PDK nuk kthehen në sallë