Ilustrim - Gaza

UNRWA: Më shumë se 80% e banorëve të Rripit të Gazës të zhvendosur që nga fillimi i luftimeve

Pothuajse 1.9 milion njerëz, më shumë se 80% e popullsisë totale të Rripit Gazës, tani janë zhvendosur që nga fillimi i luftës midis Hamasit dhe Izraelit, ka thënë të hënën Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Afro 1.2 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit (PZHBV) janë strehuar në 156 objekte të UNRWA-së në gjithë Rripin e Gazës. Një shumicë e madhe, pothuajse një milion njerëz, janë strehuar në objekte në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, në vende duke përfshirë Khan Younis dhe Rafah.

“Numri mesatar i PZHBV-ve në strehimoret e UNRWA-s është 10,326, më shumë se katërfishi i kapacitetit të tyre” – thotë Agjencia e OKB-së, UNRWA.

Thomas White, drejtor i çështjeve të UNRWA-së në Gaza thotë se “një tjetër valë zhvendosjeje” po ndodh dhe situata humanitare po përkeqësohet ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po i shtojnë operacionet në pjesën jugore të Rripit të Gazës, duke përfshirë në Rafah, ku qindra mijëra palestinezë kanë qenë të zhvendosur tashmë./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala