Ulqini - Foto: RTK

Ulqin, zgjidhet kryesia e re e pushtetit vendor

Shumica e re e këshilltarëve të Ulqinit zgjodhi të premten kryetarin e Komunës dhe kryetarin e Kuvendit.

Kryetar i Komunës u zgjodh Omer Bajraktari nga koalicioni “Fillimi i ri”, ku përfshihen 5 subjekte politike të kryesuar nga Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit Dritan Abazoviq.

Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ardian Mavriqi nga radhët e partisë së Forcës së Re Demokratike.

Në bazë të marrëveshjes, postet e kryetarit të Komunës dhe kryetarit të Kuvendit do të mbahen nga dy vjet respektivisht nga këto grupime politike.

Këto dy forca politike fituan numrin më të madh të mandateve në zgjedhjet vendore të 27 marsit. Koalicioni “Fillimi i ri” mori 14 mandate, kurse Forca e Re Demokratike mori 5 mandate duke fituar kështu shumicën në Kuvendin Komunal, i cili numëron 33 mandate.

Në opozitë mbeten Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, të cilët në mandatin e kaluar kishin pushtetin vendor në Komunën e Ulqinit.

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes shumicës dhe opozitës seanca konstituive zgjati disa ditë dhe ishte ndërprerë në mënyrë të njëanshme si pasojë e interpretimeve të ndryshme të procedurave zgjedhore të zyrtarëve vendorë.

Pas inspektimit të administratës qendrore dhe ndërhyrjes së Qeverisë së Malit të Zi u zgjidh ngërçi i krijuar politik.

Ulqini është qyteti më i njohur i Malit të Zi për turizmin e zhvilluar në rajon. Ekonomia e tij bazohet kryesisht tek marina, hoteleria dhe peshkimi.

Zgjedhjet për komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, cilësohen si tejet të rëndësishme, pasi forcat politike shqiptare, që nga pluralizmi në këtë vend, e kanë pasur pushtetin në Komunën e Ulqinit./VOA