Dy krijuese kosovare ekspozojnë në Ulqin

Dy artiste kosovare, Vlora Kosumi dhe Mjellma Goranci – Firzi kanë hapur ekspozita personale në Bibliotekën e Qytetit të Ulqinit në Mal të Zi.

Të prezantuara në të njëjtën kohë dhe vend, këto dy ekspozita janë hapur të premten e shkuar (më 22 shtator 2023) dhe prezantojnë punën krijues të artisteve kosovare.

Krijuesja Vlora Kosumi është prezantuar me ekspozitën “I was I am” me 32 ilustrime artistike të formateve dhe teknikave të ndryshme. Ndërsa, krijuesja Mjellma Goranci – Firzi është prezantuar me ekspozitën “Kaltër”.  Në këtë ekspozitë, Goranci – Firzi ka shpalosur 17 vepra arti të teknikave dhe formateve të ndryshme.

Hapja e këtyre dy ekspozitave është bërë me ftesë të Komunës së Ulqinit. Ndërsa nuk ka munguar edhe interesimi i publikut për të vizatuar ekspozitën.

Krijueset Kosumi e Goranci- Fizri kanë thënë në një prononcim për KALLXO.com se kishte një interesim mjaft të madh nga audienca ulqinake për të përcjellë ekspozitat.

Vlora Kosumi ka thënë për KALLXO.com se stili, ngjyrat e forma e veprave të ekspozuara ishin ato që tërhoqën vëmendjen e publikut.

“Biseduam me disa vizitorë rreth konceptit për punët tona, ata na thanë se ekspozitat ishin më ndryshe se ato që ishin mësuar t’i shohin, duke u ndarë të kënaqur me punën që ata panë”- ka thënë  krijuesja Kosumi.

Ndërsa, Mjellma Goranci- Firzi, e cila është prezantuar me një cikël të ri të veprave të saj, ku si kryemotiv i pikturave të saj është gruaja kosovare me cilësitë dhe sakrificat e saj, është shprehur për KALLXO.com se ekspozitat janë pritur me interes nga publiku ulqinas.

“Unë jam prezantuar me një cikël të ri të veprave të cila i kam punuar e inspiruar storiet e ndryshme të grave, pra në çdo vepër është shkruar me nga një fjali të rrëfimeve të këtyre grave të cilat i kam marrë nga përvoja ime”- ka thënë ajo.

Edhe Goranci- Firzi thotë se ka mbetur e befasuar nga interesimi i publikut për ekspozitën.

“Nuk kam pritur që do të ketë aq shumë artdashës, duke na befasuar me pyetje rreth ekspozitës, aq shumë njerëz të artit dhe media që u pritëm në mënyrën më të mirë”- tha krijuesja Goranci -Firzi, për KALLXO.com.

Këto dy ekspozita do të qëndrojnë të hapura në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin deri të premten e ardhshme, 29.09.2023.

Foto: Pamje nga ekspozita ‘I was I am’- Ulqin 2023. Foto: VK.

 

Foto: Pamje nga ekspozita ‘I was I am’- Ulqin 2023. Foto:VK.

 

Foto: Pamje nga ekspozita ‘I was I am’- Ulqin 2023. Foto:VK.

 

Foto: Pamje nga ekspozita ‘Kaltër’ Ulqin 2023. Foto: MGF.

 

Foto: Pamje nga ekspozita ‘Kaltër’ Ulqin 2023. Foto: MGF.

 

Foto: Pamje nga ekspozita ‘Kaltër’ Ulqin 2023. Foto: MGF.