Ilustrim

Ukrainë - Të paktën 117 fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, të paktën 117 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 155 të tjerë janë plagosur në vend, raporton Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Kjo zyrë thotë se shumica e viktimave dhe lëndimeve janë raportuar në ose rreth kryeqytetit të Ukrainës Kiev (58 sosh) dhe në qytetin verilindor të Kharkiv (40 sosh).

Tutje, zyra në fjalë shton se në Kharkiv, një tank rus thuhet se goditi një veturë që i përkiste një familjeje që udhëtonte me dy fëmijë.

Ndërsa në qytetin port jugor të rrethuar të Mariupolit, autobusët e evakuimit që transportonin fëmijë u goditën nga granatimet ruse.

Prokurorët thonë gjithashtu se kanë regjistruar 548 raste ku shkolla dhe objekte të tjera arsimore janë goditur, 72 prej të cilave thonë se janë “shkatërruar plotësisht”.

Ata shtojnë se shifrat që ata raportojnë nuk janë përfundimtare për shkak të vështirësive në qasjen apo inspektimin e vendeve në disa pjesë të Ukrainës./BBC