Ukrainasit në territorin e pushtuar nga Rusia po detyrohen të marrin nënshtetësinë ruse

Ukrainasit që jetojnë në territorin e pushtuar nga Rusia po detyrohen ta marrin nënshtetësinë ruse ose të përballen me hakmarrje, duke përfshirë dëbimin ose ndalimin e mundshëm, thuhet në një raport të ri amerikan. Studiuesit e Universitetit Yale zbuluan se banorët e rajoneve të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia po shënjestrohen nga një përpjekje sistematike për t’u hequr atyre identitetin ukrainas. Ukrainasit që nuk kërkojnë nënshtetësinë ruse “u nënshtrohen kërcënimeve, frikësimit, kufizimeve për ndihmën humanitare dhe nevojave bazike, si dhe ndalimin ose deportimin e mundshëm, të gjitha të krijuara për t’i detyruar ata të bëhen shtetas rusë”, thuhet në raport.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim: 

Përmes një postimi në Telegram, Administrata Ushtarake Rajonale e Kievit (KMVA)  thotë se kryeqyteti ukrainas Kievi është mbrojtur  kundër sulmit të tetë radhazi me dron të natës herët të enjten në mëngjes, ndërkohë që nga raportimet paraprake nuk është shënuar asnjë dëm.

Forcat ruse nuk kanë bërë asnjë progres përgjatë vijave të frontit, por janë të ngulitura në zonat e minuara rëndë të cilat ata vetë i kontrollojnë, duke e bërë të vështirë për trupat ukrainase lëvizjen në lindje dhe në jug, thanë zyrtarët ukrainas të mërkurën. Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se forcat ruse “u përpoqën me mjaft këmbëngulje ta ndalonin përparimin tonë në sektorin Bakhmut mirëpo nuk patën sukses”. Forcat ruse, shkroi ajo në aplikacionin e mesazheve Telegram, po i përforcojnë rezervat dhe pajisjet në tri zona më në veri, ku janë raportuar gjithashtu luftime të rënda javët e fundit.

Bashkimi Evropian i ka paralajmëruar vendet në zhvillim se Rusia po ofron grurë të lirë “për të krijuar varësi të reja duke i përkeqësuar dobësitë ekonomike dhe pasigurinë globale të ushqimit”, sipas një dokunenti të parë nga Reuters të mërkurën. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i shkroi të hënën vendeve në zhvillim dhe Grupit 20 për t’i nxitur të flasin “me një zë të qartë dhe të unifikuar” për ta shtyrë Moskën të kthehet në një marrëveshje që lejon eksportin e sigurt të grurit të Ukrainës në Detin e Zi dhe të ndalojë së targetuari infrastrukturën bujqësore të Ukrainës.

Rusia e ka sulmuar portin kryesor në brendësi të Ukrainës përtej lumit Danub nga Rumania, duke i i rritur çmimet globale të ushqimeve ndërkohë që po e rrit përdorimin e forcës për ta parandaluar Ukrainën të eksportojë grurë. Sulmet të mërkurën shkatërruan ndërtesa në portin Izmail dhe i ndaluan anijet ndërsa përgatiteshin të mbërrinin atje për të ngarkuar grurin ukrainas, në kundërshtim me një bllokadë de-fakto të porteve të Detit të Zi të Ukrainës që Rusia rivendosi në mes të korrikut. Porti Izmail ka shërbyer që atëherë si rruga kryesore alternative për të dalë nga Ukraina për eksportet e grurit. Sipas Kievit zyrtar sulmet ruse kanë dëmtuar 40,000 tonë produkte ushqimore.

Presidenti ukrainas ka thënë se sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës portuale tregojnë se Moska synon të krijojë një “katastrofë globale” me një krizë në tregjet ushqimore, çmimet dhe furnizimet. “Për shtetin rus, kjo nuk është vetëm një betejë kundër lirisë sonë dhe kundër vendit tonë”, deklaroi Zelenskiy të mërkurën në video fjalimin e tij të natës. “Moska po bën një betejë për një katastrofë globale. Në çmendurinë e tyre, ata kanë nevojë që tregjet botërore të ushqimit të shemben, ata kanë nevojë për një krizë çmimesh, kanë nevojë për ndërprerje në furnizime.”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i kërkoi Vladimir Putinit t’i rihapë bisedimet për marrëveshjen e dështuar të grurit të Detit të Zi, të cilin ai e ndërmjetësoi vitin e kaluar.

Zelenskiy tha të mërkurën se shpreson se një “samit i paqes” në Ukrainë mund të mbahej këtë vjeshtë dhe se bisedimet e kësaj fundjave në Arabinë Saudite janë një hap drejt këtij qëllimi. Ai u tha diplomatëve ukrainas në një fjalim të publikuar në faqen e internetit të presidentit se pothuajse 40 vende do të përfaqësoheshin në takimin në Jeddah më 5 dhe 6 gusht.

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Paëel Jabłoński, tha se marrëdhëniet me Ukrainën nuk kanë qenë “më të mirat” së fundmi pasi një zyrtar u kritikua nga Kievi pasi sugjeroi se kombi i luftuar kishte qenë mosmirënjohës pavarësisht nivelit të mbështetjes që kishte marrë.

Polonia e ka miratuar një version të amenduar të një paneli për ta hetuar “influencën ruse” pas një orteku kritikash të BE-së dhe SHBA-së për këtë veprim, që shihet gjerësisht si shënjestër e opozitës.

Grupet e milicisë lokale në dy rajone ruse në kufi me Ukrainën – Belgorod dhe Kursk – janë pajisur me armë për ta mbrojtur territorin e tyre nga sulmet ukrainase, sipas zyrtarëve lokalë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala