Ukraina sulmon zonat ruse me dronë dhe raketa si pjesë të strategjisë së re të Kievit

Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi dhjetëra dronë ukrainas në Krime dhe në Rusinë jugore të premten, thanë zyrtarët, ndërsa Kievi po vazhdon me strategjinë e tij për të vënë në shënjestër gadishullin e aneksuar nga Moska dhe për ta çuar luftën 22-mujore përtej kufijve të Ukrainës.

Sirenat e alarmit për sulm ajror u dëgjuan në Sevastopol, qyteti më i madh në Krime, dhe trafiku u pezullua për të dytën ditë radhazi në një urë që lidh gadishullin me Rusinë. Moska e aneksoi Krimenë ilegalisht një dekadë më parë. Ura mundëson dërgimin e furnizimeve thelbësore për operacionet luftarake të Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj rrëzoi 36 dronë mbi Krime dhe një mbi rajonin rus Krasnodar.

Një raketë anti-anije e Ukrainës u shkatërrua gjithashtu mbi pjesën veriperëndimore të Detit të Zi, tha ministria ruse e Mbrojtjes.

Sulmet ukrainase u bënë një ditë pasi tre persona u plagosën të enjten në mbrëmje nga sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në qytetin kufitar rus të Belgorodit dhe rajonin përreth, tha guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.

Ai publikoi fotografi në aplikacionin ‘Telegram’ të një pallati me disa xhama të thyer dhe makina të dëmtuara. Ai tha se autoritetet mund të ndihmojnë ata që duan të lëvizin më larg nga kufiri.

Më 6 janar, sulmet ukrainase në Belgorod vranë 25 persona, thanë zyrtarët atje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është zotuar të godasë më shumë objektiva në Gadishullin e Krimesë dhe brenda rajoneve kufitare ruse këtë vit. Qëllimi është të shqetësojë rusët ndërsa Presidenti Vladimir Putin kërkon gjashtë vjet të tjera në pushtet në zgjedhjet që në Rusi do të mbahen më 17 mars.

Një sulm ukrainas mbi objektet ushtarake në Krime të enjten preku një qendër komandimi dhe sistemin e mbrojtjes ajrore të gadishullit, sipas zëdhënëses të forcave të përbashkëta jugore të Ukrainës, Nataliia Humeniuk.

Ajo tha se ushtria ruse kohët e fundit ndryshoi vendin prej nga niste sulmet me dronë të prodhimit iranian Shahed në Krime.

Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se nuk ka arritur të verifikonte pretendimet e asnjërës palë.

Pas një sulmi me dron thellë brenda Rusisë vitin e kaluar, zoti Zelenskyy tha se Ukraina kishte prodhuar një armë që mund të godiste objektivat në largësi prej 700 kilometrash. Ai tha se muajin e kaluar Kievi planifikon të prodhojë 1 milion dronë, të cilët janë bërë një armë kyçe në fushën e betejës.

Zyrtarë të tjerë ukrainas thanë se Kievi synon të prodhojë këtë vit më shumë se 10,000 dronë sulmues me një rreze prej qindra kilometrash, si dhe më shumë se 1,000 dronë me rreze më të gjatë që mund të godasin objektivat shumë larg prapa vijës së frontit dhe brenda Rusisë.

Të dyja palët po rrisin aksionet e luftës së tyre me rreze të gjatë, ndërsa ushtarët mbeten të bllokuar në fushën e betejës në kushte e rënda të dimrit. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të premten se “luftimi tokësor ka vazhduar të karakterizohet nga ngecje në të njëjtën pikë apo në përparime shumë graduale, lokale ruse në sektorë kyç”.

Kremlini, ndërkaq, ka marrë raketa balistike nga Koreja e Veriut dhe ka nisur të paktën një prej tyre drejt Ukrainës më 30 dhjetor, tha Shtëpia e Bardhë të enjten, duke cituar të dhëna nga shërbimet amerikane të zbulimit. Ajo gjithashtu po kërkon raketa balistike me rreze të afërt nga Irani, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha se Pheniani do të paguante një çmim të lartë për mbështetjen e Rusisë, megjithëse ai nuk tha se në çfarë mënyre, ndërsa akuzoi Moskën për shkeljen e një embargoje të OKB-së për dërgesat e armëve me Korenë e Veriut.

“Bota i ka kthyer shpinën Rusisë, duke e detyruar Putinin të shkojë në Korenë e Veriut për të vazhduar pushtimin e tij të paligjshëm”, shkroi zoti Shapps në rrjetin social X, që dikur njihej si ‘Twitter’.

I pyetur për këtë çështje, zëdhënësi i forcave ajrore ukrainase Yurii Ihnat tha gjatë një paraqitjeje televizive të premten se ai nuk mund të konfirmonte përdorimin e raketave të furnizuara nga Koreja e Veriut, duke shtuar se ekspertët duhet të studiojnë fragmentet. Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar për këtë çështje ende.

Ukraina tha se rrëzoi 21 nga 29 dronët Shahed të lëshuar vonë të enjten dhe të premten në mëngjes. Sulmi plagosi dy persona, përfshirë një 14-vjeçar. Ky ishte sulmi më i fundit i bombardimeve pothuajse të përditshme me dronë nga Rusia në vitin e ri.

Zoti Zelenskyy falënderoi Gjermaninë të enjten vonë për dërgimin e ndihmave ushtarake, veçanërisht materialeve të mbrojtjes ajrore që ai tha se arritën “në kohën e duhur dhe të nevojshme për prioritetet tona”.

Ukraina “duhet të vazhdojë të degradojë aftësinë e Rusisë për të bërë luftë duke kryer një fushatë të përshkallëzuar të sulmeve ajrore në objektiva shumë prapa vijës së frontit në të gjithë Ukrainën e pushtuar dhe brenda vetë Rusisë”, sipas Mykola Bielieskovit, studiues në Institutin Kombëtar të Studimeve Strategjike të Ukrainës.

“Kjo mund të përfshijë sulme ndaj vendeve ku janë përqëndruar trupat ruse, bazave ushtarake dhe depot e municioneve së bashku me qendrat logjistike dhe objektet e prodhimit të armatimit”, shkroi ai në një vlerësim të botuar nga Këshilli Atlantik, një institut amerikan me seli në Uashington./VoA