Ukraina planifikon ta grumbullojë një forcë luftarake 'milionëshe' për ta rimarrë territorin e saj jugor nga Rusia

Sot është dita e 139-të e invazionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Kjo është lufta më e madhe tokësore në territorin europian që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Me 24 shkurt Presidenti rus Putin ka urdhëruar forcat e tij ushtarake që të ndërhyjnë në territorin ukrainas për, sipas tij, “demilitarizimin dhe denacifikimin e terroristëve dhe nazistëve rusë”. 

Forcat ukrainase janë kundërpërgjigjur me rezistencë të armatosur dhe deri më tani kanë aritur që me sukses t’i mbrojnë shumicën e qyteteve të sulmuara ndërkohë që disa sosh nuk kanë arritur t’i mbrojnë.

Komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe aleanca e NATO-s kanë ndërmarrë sanskione të papara ekonomike dhe politike ndaj Rusisë duke e konsideruar dhe fajësuar Rusinë si agresorin e kësaj lufte. Reagimi ndërkombetar në ndihmë Ukrainës ka qenë kryesisht përmes sanksioneve si dhe përmes furnizimit më armë prej më të ndryshmeve. 

Deri më tani janë me mijëra civilë dhe ushtarakë të vrarë ndërkohë që qindra mijëra të tjerë janë të plagosur dhe hospitalizuar. Dëmet në njerëz dhe në infrastrukturë janë në miliarda me shkatërrime masive në shumicën e qyteteve të sulmuara me raketa dhe bomba nga ajri. 

Numri i të larguarëve nga Ukraina tashmë e ka tejkaluar 10 milionëshin ndërkohë që miliona të tjerë janë zhvendosur nga brenda Ukrainës. Me gjithë përpjekjet e shumta për arritjen e një armëpushimi apo përfundimi të luftës, një gjë e tillë mbase nuk do të ndodhë së shpejti. 

Zhvillimet e fundit në dhe rreth Ukrainës janë si në vijim:

Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe në qytetin Chasiv Yar në Ukrainën lindore është rritur në të paktën 34. Ekuipazhet e urgjencës kanë punuar gjatë gjithë kohës për t’i nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Zelenskiy e ka akuzuar Moskën për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në sulmin që shkatërroi tri ndërtesa në një lagje banimi. Viktima e fundit, një fëmijë nëntë vjeçar, u nxor nga rrënojat të hënën në mbrëmje, thanë shërbimet e urgjencës shtetërore të Ukrainës.

Ukraina planifikon ta grumbullojë një forcë luftarake “milionëshe” të pajisur me armë perëndimore për ta rimarrë territorin e saj jugor nga Rusia. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, urdhëroi ushtrinë t’i rimarrë zonat e pushtuara rreth bregut të Detit të Zi që janë jetike për ekonominë e vendit, tha ministri i mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Rreth 80% e banorëve në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, janë larguar, tha guvernatori i saj. Pavlo Kyrylenko tha se rreth 340,000 njerëz, ose 20% e popullsisë vendase para fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë më 24 shkurt, kanë mbetur atje.

Gjermania dhe Republika Çeke kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, duke u zotuar ta tejkalojnë varësinë ruse nga karburantet fosile dhe ta përshpejtojnë tranzicionin drejt energjisë së ulët me karbon. “Ne do ta finalizojmë marrëveshjen për masat e solidaritetit për ta mbrojtur sigurinë e furnizimit me gaz midis vendeve tona përpara fillimit të sezonit të ardhshëm dimëror”, thuhet në deklaratë.

Vladimir Putin e ka nënshkruar një dekret duke e bërë më të lehtë për qytetarët e Ukrainës marrjen e nënshtetësisë ruse. Më parë, një procedurë e thjeshtuar zbatohej vetëm për banorët e territoreve të vetëshpallura separatiste të Republikës Popullore të Donetsk (DPR) dhe Republikës Popullore të Luhansk (LPR) në Ukrainën lindore, si dhe rajonet e pushtuara nga Rusia të Kherson dhe Zaporizhzhia.

Presidenti rus planifikon të takohet me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi dyshja në fjalë diskutuan përpjekjet për t’i lehtësuar eksportet e grurit nga Ukraina, sipas Kremlinit. Erdogan i tha Putinit se ishte koha për të vepruar sipas një plani të OKB-së për të ngritur një korridor detar për eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi gjatë një telefonate të hënën, tha agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.

Lituania i ka zgjeruar kufizimet në tregtinë përmes territorit të saj deri në enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ndërsa nisin fazat e sanksioneve të BE-së të shpallura më herët. Mallrat e sanksionuara nga mëngjesi i së hënës përfshijnë beton, dru, alkool dhe kimikate industriale me bazë alkooli. Guvernatori i Kaliningradit, Anton Alikhanov, ka propozuar një ndalim total të lëvizjes së mallrave midis tri shteteve baltike dhe Rusisë, në përgjigje të asaj që autoritetet në enklavë e kanë quajtur si “bllokadë”.

Ambasadorja e Kanadasë në Ukrainë, Larisa Galadza, është thirrur në Kiev për ta shpjeguar vendimin e Otavës për t’i kthyer në Gjermani turbinat e gazit të nevojshme për ta mirëmbajtur tubacionin Nord Stream 1. Kanadaja pranoi t’i kthejë turbinat e riparuara në fundjavë, duke i zemëruar zyrtarët ukrainas të cilët këmbëngulën se ky vendim shkelte sanksionet e energjisë kundër Rusisë.

Tetë anije me flamur të huaj kanë mundur të arrijnë në portet përgjatë Kanalit Danub-Detit të Zi për ta ndihmuar Ukrainën ta thyejë bllokadën e vendosur nga Rusia ndaj eksporteve të grurit, sipas raporteve të mediave lokale. Gazeta Kyiv Independent tha se anijet u shoqëruan nga marina e Ukrainës.

Letonia mund t’i rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen dhe ta prezantojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, pavarësisht nga gjinia, për t’i përmbajtur rreziqet e sigurisë që rrjedhin nga Rusia. Presidenti Egils Levits, 67 vjeç, i tha Reuters se siguria është “prioriteti i politikës sonë sot” dhe planet për ta rritur buxhetin e mbrojtjes në 2.5% të PBB-së “mund të mos jenë të mjaftueshme”.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, u takua me Zelenskiy në Kiev për ta përsëritur mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën “tani dhe në vitet në vijim”. Lufta në Ukrainë mund të zgjasë më shumë nga sa kishte shpresuar dikush, paralajmëroi Rutte gjatë një vizite në kryeqytet. Pas takimit të tyre, Zelenskiy i përshëndeti bisedimet si “konstruktive” me liderin holandez dhe vendimin për furnizimin me armë Ukrainës.

Irani po planifikon t’a furnizojë Rusinë me qindra dronë të aftë për armë për t’u përdorur në Ukrainë, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se “Qeveria iraniane po përgatitet t’i sigurojë Rusisë deri në disa qindra UAV [mjete ajrore pa pilot], duke përfshirë UAV-të e aftë për armë, në një afat kohor të përshpejtuar”. Sullivan tha se informacionet sugjeronin se Irani po përgatitet t’i trajnojë forcat ruse për t’i përdorur UAV-të që në fillim të korrikut.

Dhoma e ulët e parlamentit rus do të mblidhet më 15 korrik për një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohen më shumë se 80 projektligje. “Ne planifikojmë të shqyrtojmë pak [më shumë] se 60 çështje,” tha Vladimir Vasilyev, kreu i partisë Rusia e Bashkuar, por nuk bëri të ditur se cilat ishin çështjet.

Kombet e Bashkuara thonë se do ta monitorojnë luftën në Ukrainë për shkeljet ndaj fëmijëve, duke përfshirë vrasjet, plagosjet, rekrutimin, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës seksuale./The Guardian