Uashingtoni zyrtar: Ukraina ka filluar të përdorë bomba thërrmuese të furnizuara nga SHBA

Bomba thërrmuese të furnizuara nga SHBA, të cilat janë të ndaluara nga më shumë se 120 vende të botës, janë vendosur në Ukrainë kundër forcave ruse, ka thënë zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Ne kemi marrë disa reagime fillestare nga ukrainasit dhe ata po i përdorin ato në mënyrë mjaft efektive”, u tha Kirby gazetarëve.

Ukraina paralajmëroi se mund t’i shënjëstrojë të gjitha transportet nga portet ruse dhe të pushtuara nga Rusia dhe sinjalizoi gatishmërinë e saj për të luftuar në Detin e Zi, pas deklaratës së Moskës për një bllokadë detare dhe bombardime të porteve ukrainase. Këto lëvizje vijnë pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja përmes së cilës  i lejohej Ukrainës t’i eksportonte drithërat e saj nëpërmjet porteve të saj të Detit të Zi të hënën.

Mbikëqyrja bërthamore e OKB-së thotë se nuk ka qenë në gjendje t’i inspektojë çatitë e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës, i cili është i pushtuar nga forcat ruse. Ukraina e akuzon Rusinë se e ka kthyer këtë termocentral në një mburojë për armët e saj të artilerisë dhe se po mbush me dinamit me çatinë e reaktorit, duke e kthyer vendin në një çip negocimi atomik.

Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan një propozim për një fond prej 20 miliardë eurosh për t’i paguar armët, municionet dhe ndihmën ushtarake për Ukrainën gjatë katër viteve. BE tha gjithashtu se do t’i zgjasë sanksionet e saj kundër Rusisë me gjashtë muaj, deri në fund të janarit.

Çmimet e grurit vazhduan të rriten në tregjet globale pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e grurit të mbështetur nga OKB. Gruri u tregtua pothuajse 1.5% më i lartë në bursën e Çikagos të Bordit të Tregtisë të enjten në mëngjes, ndërsa çmimet e misrit dhe sojës po rriteshin gjithashtu. Kjo pasoi me një rritje prej më shumë se 8% të çmimeve të grurit të mërkurën.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet të premten lidhur me “pasojat humanitare” të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e grurit të Detit të Zi, thuhet në një njoftim të bërë nga misioni britanik i OKB-së.

SHBA vendosi sanksione të ndërlidhura me Rusinë kundër gati 120 individëve dhe subjekteve që kanë si synim bllokimin e qasjes së Moskës në pajisjet elektronike dhe mallra të tjera që ndihmojnë luftën e saj kundër Ukrainës. Masat e reja janë të dizajnuara për t’i “zvogëluar të ardhurat e Rusisë nga sektori i metaleve dhe minierave, t’i minojnë aftësitë e saj të ardhshme energjetike dhe ta degradojnë qasjen e Rusisë në sistemin financiar ndërkombëtar”, thotë departamenti i thesarit në një deklaratë.

Të paktën tre persona u konfirmuan se janë vrarë gjatë natës së tretë të sulmeve ajrore të njëpasnjëshme të Rusisë në qytetet portuale të Ukrainës jugore, sipas zyrtarëve ukrainas. Kina konfirmoi gjithashtu se ndërtesa e saj e konsullatës në Odesa u dëmtua në sulmet e fundit.

Moska zyrtare ka thënë  se po vendos kufizime për diplomatët britanikë, duke u kërkuar atyre që t’i njoftonin pesë ditë për çdo plan për të udhëtuar përtej një rrezeje prej 120 km, për shkak të atyre që i quajti “veprimet armiqësore” të Londrës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala