Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Trendafilova: Dhomat e Specializuara gjykojnë individët, jo organizatat apo grupet etnike

Në konferencën e mbajtur online, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova  njoftoi për punën e gjykatës, e cila sipas saj ka në trajtim katër raste.

Trendafilova diskutoi rreth mandatit të këtyre dhomave, i cili buron nga ligji mbi dhomat e specializuara.

Ajo theksoi se mandati është që dhomat të trajtojnë rastet në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe të pavarur.

“Dhomat kanë 4 raste që trajtojnë, kundër 8 të akuzuarve, ka nxjerrë mbi 1,200 vendime në mbi 100 seanca” – tha Trendafilova.

Ajo ndër të tjera theksoi se në trajtimin e këtyre rasteve janë duke gjykuar përgjegjësinë personale e të akuzuarve.

“Ne jemi duke u marrë vetëm me përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi të organizatave” – tha Trendafilova.

Ajo theksoi se “gjyqtarët janë shumë kërkues dhe janë duke punuar shumë që të sigurojnë gjykim të bazuar në ligj.”.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e pretenduara se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Gjykata “hibride”, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010.

Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Aktulisht në Hagë nën akuzat për krime lufte po gjykohen ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetarët Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.